Rriten rastet e infektimit me COVID-19, Maqedonia e Veriut hyn sërish në karantinë

Maqedonia e Veriut ka hyrë sërish në karantinë për të parandaluar përhapjen më tej të pandemisë së COVID-19. Qeveria vendosi mbylljen e vendit pas rritjes së numrit të rasteve të reja të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 4 persona humbën jetën ditën e djeshme duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 145, ndërsa të infektuarët 2,492.

Autoritetet vendase kanë vendosur ndalimin e plotë të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Shkup, Kumanovë, Likovë, Shtip, Tetovë,  Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovc. Ndalesa e lëvizjes fillon prej ditës së sotme, nga ora 21:00, deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit.

Në të gjitha qytetet e tjera, zona të gjelbra përsa i përket përhapjes së pandemisë, ora policore (mbyllja) do të zgjasë nga ora 21 deri deri në orën 5 të mëngjesit gjatë këtyre 3 ditëve, ndërsa në ditët e tjera do të fillojë në orën 16 pasdite dhe do të zgjasë deri të nesërmen në orën 5 të mëngjesit.

E premtja (5 qershori) shpallet ditë jopune për të gjithë qytetarët. Në periudhën nga e enjtja (4 qershor) nga ora 21:00 deri të hënën më (8 qershor) në orën 05:00, ndalohet vizita në varreza në tërë territorin e vendit, përveç për varrime.