“Rritja stratosferike e Borxhit në 80% të PBB, goditje fatale për ekonominë”; Basha akuza Ramës për lidhjet me oligarkët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon akuzat ndaj Ramës për pazaret e tij me oligarkët. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se “rritja stratosferike e borxhit në 80% të PBB është një goditje fatale për ekonominë”.

Sipas kryedemokratit, përgjegjës për këtë është kryeministri Rama, i cili rriti borxhin për të mbushur xhepat e tij dhe të oligarkëve.

“RAMAVIRUSI po e gërryen nga brenda ekonominë tonë. Me rritjen stratosferike të Borxhit Publik në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rama po i jep ekonomisë një goditje fatale. Ky borxh që rëndon mbi qytetarët po përdoret jo për t’i ndihmuar ata në këto ditë të vështira, por për të mbushur xhepat e Ramës dhe oligarkëve në shërbim të tij. Për shkak të RAMAVIRUSIT, sot gjysma e shqiptarëve janë pa punë dhe mbijeton në kufirin e varfërisë.

Por shqiptarët kanë mundësi të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që jua lehtëson barrën e taksave dhe që rrit punësimin dhe investimet. Shqiptarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze e cila nuk do t’i lërë më në mëshirën e fatit, por do t’ju bëhet krah në ditët e tyre më të vështira. Ne për këtë po punojmë sepse ditë më të mira do të vijnë për të gjithë ne”, deklaron Basha.