KRYESORE

"Rrudhet" qeveria e Kosovës, Haradinaj shkarkon ministrin e Brendshëm: S’më informoi, të lirohet menjëherë!

Ashtu siç pritej, kryeministri i Kosovës ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Përmes një shkrese zyrtare, Haradinaj ka kërkuar lirimin e tij menjëherë nga detyra me argumentin se nuk e ka informuar lidhur me operacionin për arrestimin dhe dëbimin 6 mësuesve turq nga kolegji turk “Mehmet Akif”.

“Dua edhe njëherë të potencoj se veprimet e djeshme në këtë rast ishin tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si popull dhe si shtet. Duke marrë parasysh se si Kryeministër i Republikës nuk kam qenë paraprakisht apo me kohë i informuar nga Ministria që ju drejtoni, kërkoj nga ju: Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës”, thuhet në dokumentin e firmosur sot nga Haradinaj.

Po ashtu, pritet edhe shkarkimi i Driton Gashit, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i akuzuar po ashtu për të njëjtën përgjegjësi, mungesë informimi nga operacioni.

Krerët e shtetit të Kosovës deklaruan se për këtë operacion dhe për ekzekutimin e vendimit për dëbimin e turqve nuk kishin qenë në dijeni.

Mësuesit turq punonin në kolegjin turk “Mehmet Akif”, shkollë që bën pjesë në rrjetin e shkollave të klerikut turk Fetullah Gulen, i cili nga Turqia konsiderohet si terrorist. Ata u depërtuan me procedurë të përshpejtuar, por detajet e këtij aksioni nuk ishin bërë të njohura më parë për krerët e shtetit.

 

Ditari politik

Të fundit