Rrugës për në shtëpi (Shqipëri), COVID-19 e gjeti në mes të oqeanit – shqiptarja rrëfen karantinën në kroçere

Teksa anija gjigante e një prej kroçereve të shumta që lundrojnë nëpër oeqeane ishte nisur për të filluar punën me mijëra turistë që zgjedhin të kalojnë pushimet nëpër oqeane, pandemia e koronavirusit prishi dhe planet e tyre. Në bordin e saj ndodhej dhe Fize Smailaj, 24 vjeçarja shqiptare.

Fizja këtë punë e ka nisur që vitin e kaluar, nga e cila ngeli shumë e kënaqur dhe u rikthye sërish me një kontratë të dytë në janar të këtij viti, pak para se të shpërthente pandemia e koronavirusit.

“Punën në kompani e kam filluar vitin e kaluar, këtë vit, në janar fillova kontratën e dytë në një nga anijet e flotës. Në punën tonë kemi të bëjmë me turiste që vijnë në anije për të kaluar 3-4 ditë pushimi. Në varësi të madhësisë së anijes, ndryshon edhe numri i turistëve që do të kemi në anije. Në anijen ku punoja para COVID-19 kishim rreth 4000 turistë çdo 3-4 dite, shto këtu edhe rreth 1500 pjesëtarë të ekuipazhit,” – rrëfen për Politiko, Smailaj.

24-vjeçarja tregon se në momentin kur shpërtheu COVID-19, ishte piku i sezonit për ta dhe pas mbledhjes që presidentët e Linjave të Kroçereve bënë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për arsye sigurie u vendos që të pezullohej puna, dhe pas këtij njoftimi turistët nuk mund të shkonin më në anije dhe të vetmit që qëndruan në bord ishin anëtarët e ekuipazhit.

Rregullat e distancimit social dhe higjiena maksimale janë respektuar dhe mes anëtarëve të ekuipazhit, të cilët tashmë kishin një tjetër qëllim: të riktheheshin shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre.

“Nuk mund të qëndronim me shume se një person ne dhome, theksoj këtu faktin se në kushte normale, ne qëndrojmë dy persona në një dhome. U ndryshua orari i ngrënies se vakteve në varësi të katit ne te cilin banoje në anije, p.sh kati 1-4 duhet ta konsumoje darkën në këtë fashë orare 18:00-19:15. Nuk mund të qëndronim jashtë orareve të caktuara në ambientet e përbashkëta, u vendosën orare për të marrë ajër të pastër dhe për të pirë cigare në ambientet e caktuara. Pjesën më të madhe të kohës na u kërkua të qëndronim në dhomat tona në mënyre që të shmangnim rrezikun prej virusit. Përveç kësaj çdo ditë, dy herë në ditë na matej edhe temperatura nga ‘heads of departments’ të cilët i raportonin matjet pranë qendrës mjekësore ne bord. Kompania u sigurua qe rreziku për ne të ishte minimal ose jo ekzistent. Pasi turistet e fundit u larguan nga anija, askush nuk doli asnjëherë nga anija, dhe askush nuk hyri ne bord nga jashtë. Pas disa javësh nga izolimi për disa nga ne, ekuipazh, u planifikuan fluturime për tu kthyer ne shtëpitë tona. Duke qene se dhe situata e fluturimeve ishte e ndërlikuar, shpesh edhe u anuluan. Në rastet kur anëtarët e ekuipazhit kishin dalë nga anija dhe u duhej të ktheheshin sërish në bord, ata duhej të qëndronin në izolim për rreth 14 dite pa asnjë kontakt me personat qe nuk ishin larguar nga anija,”– tregon Fizja teksa shpjegon masat që kishte marrë anija ku ajo po qëndronte.

Duke qenë se kthimi i punonjësve përmes fluturimeve ishte i pamundur për shkak se vendet mbyllën kufinjtë duke dashur të shmangnin përhapjen me pasoja fatale të COVID-19, kompania e kroçerve vendosi të përdorë disa nga anijet e flotës për të kthyer secilin prej punonjësve në shtëpitë e tyre.

“Disa prej anijeve kanë shkuar në Indonezi, Filipine, Indi, Amerikën Latine, Afrikën Qendrore dhe Jugore. Dy prej tyre, përfshire dhe anijen ku unë jam tani janë duke ardhur në Europë. Për kthimin në gjendjen normale, gushti është një mundësi. Është njoftuar se në gusht disa prej anijeve do të fillojnë të operojnë normalisht.”

Por secili prej nesh e provoi karantinën, izolimin në shtëpitë tona, në mënyra e forma të ndryshme, qoftë duke punuar a duke parë Netflix, por si ishte për Fizën dhe gjithë punëtorët e tjerë të ekuipazhit karantina në mes të oqeanit?

Fizja rrëfen për ne se me kalimin e kohës filloi të mësohej por i mungonin gjëra që në dukje shumë të vogla por që nuk mund t`i bësh kurrë nga bordi i një anije gjigante, si: të ndjesh nën këmbë tokën:

“Karantina në det është e çuditshme në fillim, por me kalimin e kohës mësohesh dhe me të. Fillon të vlerësosh gjërat që më parë nuk i konsideroje aspak. Personalisht për shembull, më mungojnë gjërat e vogla që mund të bësh në tokë, si të eci zbathur, të ndjej dheun ose barin në shputat e këmbës, ose të përkëdhel një kafshë. Por edhe të qenit këtu gjatë kësaj periudhe ka të mirat e saj, për shembull në kohën kur në tokë ishte rreptësisht e ndaluar të dilje jashtë, këtu ne mund të luanim basketboll, ping-pong, mund të bënim vrap, mund të shihnim filma në teatrin që ndodhet në bord.”

Me milje larg dhe në një tjetër kontinent, familja ishte ajo që shqetësohej më shumë për gjendjen e vajzës së tyre. Por siç tregon vetë Smailaj, ajo u tregua shumë e sinqertë me prindërit e saj duke iu sugjeruar të qetësohen pasi në mes të detit ishte më e sigurte nga Covid-19 sesa në tokë.

*Intervista është zhvilluar kur Fizja ndodhej në Oqeanin Atlantik, teksa po lundronte për t`u kthyer në Shqipëri. Ditën që do publikohej ky artikull, u shemb Teatri Kombëtar dhe ngjarjet morën tjetër çasje. Fizja bashkë me 55 shqiptarët e tjerë kanë rritur tashmë në Shqipëri, të gjithë mirë dhe të sigurtë ku edhe epo kryejnë karantinën 14-ditore.

Politiko.al/ d.z