Ruçi i përgjigjet ftesës së Metës, i shkon në zyrë për Gjykatën Kushtetuese

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i është përgjigjet ftesës së presidentit Ilir Meta për të nisur diskutimet, pas raportit final të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.

Në një dalje për mediat të premten, Meta tha se është urgjente ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese.

“Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të Reformës në Drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare Kryetarit të Kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen”, u shpreh Meta.

Sipas tij, kjo është shumë e rëndësishme, sepse “Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit”.

Kështu, sot në orën 12.30 Ruçi pritet t’i shkojë në zyrë kreut të shtetit në zyrën presidenciale.

Kujtojmë se dje, Ruçi u takua edhe me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim në kryesinë e Kuvendit. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe përshpejtimin e plotësimit dhe bërjes funksionale sa me shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.Kryetari I Kuvendit, Gramoz Ruçi, sipas zyrës së shtypit të Kuvendit vuri në dukje se Kuvendi është i angazhuar për suksesin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe realizimin e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë, si kushte thelbësore për të nxitur e mbështetur progresin e Shqipërisë, në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit.

Po ashtu, javës që shkoi, Kim u takua edhe me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj me qëllim nxitjen për funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.