Ruçi: Mos na konsideroni si “delja e zezë”, ky dallim duhet të fillojë të zbutet

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaron se rajoni ynë nuk ka pse të konsiderohet nga disa prej udhëheqësve evropianë si “delja e zezë”, por si vlerë e shtuar e familjes evropiane.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e 16-të të komisioneve parlamentar për integrimin evropian të shteteve pjesëmarrëse në procesin e stabilizimit dhe asocimit të Evropës Juglindore, Ruçi kërkoi që ky dallim duhet të fillojë të zbutet.

“Evropa është një vend i bukur për të jetuar, por mbetet kontinenti i paragjykimeve dhe asimetrive. Jemi emërtuar si Ballkani Perëndimor, por ky term, ashtu si termi tjetër, Europa Juglindore, ekspozon sforcimin e një pjese të vendeve  vendimmarrësve evropianë për të vlerësuar me realizëm mundësitë e zhvillimit, si pjesë integrale e qytetërimit evropian.

Ky dallim duhet të fillojë të zbutet, e për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë bashkë si vendet tona, ashtu edhe 27 vendet e kësaj organizate. Rajoni ynë është një rajon evropian dhe nuk ka pse konsiderohet prej disa udhëheqësve si “delja e zezë”, por si një vlerë e shtuar e familjes evropiane.

Integrimi ynë e ka një model, integrimi në NATO. Për fat të keq ende s’ka një perspektivë të qartë drejt BE. Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Europian dëmton edhe vetë BE. Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e influencave të vendeve perëndimor dhe jo perëndimor.

Qëndrimi i skeptikëve lëshon terren për influencat joperëndimore në rajonin tonë. BE duhet ti lexojë rreziqet që i kanosen rajonit. Pas mbledhjes së KE në tetor që nuk çeli negociatat, ky vendim sado i padrejtë nuk na ka dekurajuar”, tha kryeparlamentari.