Flash News

KRYESORE

Rudina Hajdari për Parlamentin, opozitën dhe grupimin anti-Basha: Unë e dua këtë vend njësoj si im atë!

Rudina Hajdari për Parlamentin, opozitën dhe grupimin anti-Basha:

Depetetja më e re e PD-së në Parlament, Rudina Hajdari, vajza e deputetit të ndjerë, Azem Hajdari, në një intervistë të saj në gazetën “Shekulli” flet për angazhimin e saj të ri politik,  duke treguar pse është kthyer nga Amerika, si e sheh Parlamentin dhe opozitën.

Për vajzën e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, është një hap shumë pozitiv fakti që Basha ka futur në Parlament emra të rinj.

“Unë nuk mund të flas në emër të zotit Basha dhe nuk mund të spekuloj për motivet e tij për të vendosur dikë në listën e PD-së. Për mua nuk kishte rëndësi renditja në listën e Tiranës. Ajo që e bën garën e fortë është konkurrimi i vërtetë dhe i ndershëm. PD-ja ishte e vetmja parti që i dha përmasën më të drejtë dhe të moralshme kësaj fushate dhe vuri para një program të qartë për zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë në vend”.

Lidhur me vendimin për të ardhur në Shqipëri, Rudina thotë: “Dëshiroj të vazhdoj trashëgiminë e tim ati. Unë e dua këtë vend njësoj si ai. Prandaj përkushtimi im politik do jetë këtu. Gjendja politike e Shqipërisë ka ndryshuar ndjeshëm që nga vitet 1990, por unë dua t’u përmbahem parimeve që ai shprehte në Parlament. Principet nuk ndryshojnë, kurse prioritetet po. Unë jam një politikane e lindur në vitin 1987, dhe në vitin 2017 Shqipëria natyrisht ka nevoja të ndryshme, për të cilat do të flas hapur. Shqetësimi im kryesor do të jetë kthimi i llogaridhënies në politikën shqiptare, duke i treguar një elektorati të zhgënjyer që kam ndërmend të punoj për ta.

Ata janë punëdhënësi im. Taksat e tyre do të paguajnë pagën time dhe unë do kem përgjegjësinë ndaj të drejtës së tyre kushtetuese për të dhënë llogari, nëse nuk punoj për nevoja e tyre.”

Ndërsa largimi i shumë figurave me kontribut të gjatë në PD nga listat e të zgjedhurve, për Rudinën nuk duhet të përbëjë ndonjë shqeëtsim të madh, sepse vëret “ka figura historike që vazhdojnë të japin kontributin e tyre për shqiptarët, qoftë nën mantelin e deputetit apo të figurës publike. PD nuk është vetëm listë deputetësh, por është një parti e hapur dhe sikurse e ka theksuar vetë z. Lulzim Basha cilido është i ftuar të japë kontributin e tij. Përfshirja e të rinjve është hap pozitive për Shqipërinë, sepse shënon hyrjen e një epoke të re që pasqyron frymën e një sistemi të ri demokratik.

Është për të ardhur keq që disa harxhojmë kaq shumë energji duke bërë llogaritjet e brendshme të PD-së, se çfarë do të ndodhë.  Unë i shoh këto si përpjekje që heqin vëmendje nga ofrimi i zgjidhjeve për qytetarët shqiptarë. Ka shumë gjëra të natyrës emergjente për të cilët duhet të debatojmë, që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pra, ky lloj kurioziteti nuk i shërben askujt, dhe unë nuk dua të merrem me parashikime të tilla, por do të merrem me çështje që interesojnë elektoratit tim, qytetarëve që përfaqësoj të cilët sot kanë probleme që nuk duhet të ekzistojnë në një vend që  aspiron të aderohet në BE.”

Të fundit