Flash News

KRYESORE

Ruiz-Calavera: Vettingu për gjykatësit dhe prokurorët fillon në shtator

Ruiz-Calavera: Vettingu për gjykatësit dhe prokurorët fillon

Në një intervistë të “DW” me Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për reformën në drejtësi dhe Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, kryesuesja e misionit ndërkombëtar të monitorimit, thote se shtyllat e vettingut janë tre. Calavera shton se në këtë proces, roli i ndërkombëtarëve do jetë vetëm vëzhgues dhe se procesi varet krejtësisht nga strukturat vendase.

Sipas Genoveva Ruiz-Calavera “…vettingu është aq i rëndësishëm për Shqipërinë saqë mund të konsiderohet një proces me rëndësi historike, një moment përcaktues për sistemin e drejtësisë në vend, por jo vetëm. Forcimi i një gjyqësori të paanshëm, të pavarur, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional, ka rëndësi edhe për një sfidë më të gjerë: të konsolidojë në mënyrë të pakthyeshme, një herë e përgjithmonë, sundimin e ligjit në Shqipëri. Me pritshmëri të tilla, është e qartë, se sa më herët të fillojë procesi, aq më mirë do të jetë. Qytetarët e Shqipërisë kanë pritur tashmë prej një kohe shumë të gjatëë ata meritojnë një sistem gjyqësor ku gjithsejcili prej tyre të ketë besim.  

Ligji për vettingun u dha një afat të qartë kohor gjithë anëtarëve të gjyqësorit që të paraqisnin një informacion paraprak mbi pasuritë dhe trashëgimitë e tyre. Para se afati të skadonte disa gjykatës, prokurorë dhe këshilltarë ligjorë zgjodhën të jepnin dorëheqjen. Në njëfarë mënyre, kjo do të thotë se vettingu tanimë ka filluar të sjellë rezultate, para fillimit të tij të pritshëm.  Procesi zhvillohet në tri shtylla të qarta: e shkuara, pasuritë dhe vlerësimi i aftësive profesionale, që do të jenë të detyrueshme dhe do të kryhen për secilin anëtar të gjyqësorit. Ne do të monitorojmë se hetimet do të jenë të plota dhe do të bëjnë të mundur, një herë dhe përgjithmonë, pastrimin e sistemit të drejtësisë, në të gjitha nivelet e saj, nga ata që nuk shërbejnë në interes të qytetarëve shqiptarë, por kanë ndjekur praktika të korruptuara dhe / ose kanë zhvilluar lidhje me rrjetet e krimit të organizuar.”, tha ndër të tjera në intervistën e saj Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

 

Të fundit