Rusia bëhet me qeveri të re

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, miratoi të martën Qeverinë e re ruse, në të cilën mbeten edhe disa ministra të qeverisë “së vjetër”.

Ndryshimi i qeverisë erdhi javën e kaluar, kur Putin tha se ky vend duhet të kalojë nëpër reforma të mëdha kushtetuese.

Menjëherë pas adresimit të Putinit, Dmitry Medvedev, i cili ka qenë kryeministër i Rusisë për tetë vjet, dha dorëheqje.

Ditën pasuese, Mikhail Mishustin, ish-shef i Shërbimit Tatimor të Rusisë, u emërua kryeministër.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe ministri i Financave, Anton Siluanov, i kanë pasur këto pozita edhe në qeverinë e kaluar.

Më 15 janar, Putin foli për ndryshime kushtetuese që do t’i rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.

Shumë analistë dyshojnë se Putin po përpiqet të përgatisë terrenin për të vazhduar sundimin e tij në një kapacitet të ri.

Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999. REL