Rusia pas protestave në Serbi? Lavrov pret Daçiçin në Moskë, Putin dhe Vuçiç takohen në Kinë

Në mediat pranë qeverisë në Shqipëri ka patur një përpjekje për të krijuar idenë se protestat në vendin tonë, por edhe ato në Mal të Zi dhe në Serbi po sponsorizohen nga Rusia. Disa analistë hedhin dyshime se Rusia po përdor opozitat për të destabilizuar rajonin nëpërmjet protestave në Tiranë, Beograd dhe Podgoricë.

Por kjo hipotezë rrëzohet kryesisht nga situata në Serbi, ku udhëheqësit atje po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje nga Moska.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç është pritur sot në takim nga homologu rus, Sergei Lavrov, në një kohë kur protestat në Beograd vijojnë të jenë masive.

Por përveç takimit Daçiç-Lavrov, është njoftuar edhe për një takim të presidentëve Aleksandar Vuçiç dhe Vladimir Putin në Kinë. Vuçiç dhe Putin do të marrin pjesë së shpejti në samitin e Kinës, në kuadër të ‘Rrugës së Mëndafshit”.