Flash News

KRYESORE

Sa fytyra ka Edi Rama?

Sa fytyra ka Edi Rama?

Naum Mara

Ndoshta, Kryeministri shqiptar mendon se të jesh politikan i sukseshëm duhet të jesh i pafytyrë. Ose, po qe se do përdorim një shprehje nga fusha e tij e kompetencës, të jesh si një portret i Pikasos i periudhës së kubizmit, ku tre dimensioneve u shtohet edhe dimensioni i kohës dhe përzihen profili me ballorin. 

Në fjalën e tij të sotme para deputetëve-ushtarë të PS-së, ai mbajti një fjalim alla Erdogan, ku mbizotëronte përpjekja për t'u treguar trim dhe i drejtë, por mbi të gjitha përpjekja për t'u shfajësuar.

Lejtmotivi nuk ishte “A është Saimiri i pafajshëm?”, por “A kam unë ndonjë faj”?

Kryeministri me shumë fytyra, i bëri një shpjegim të gjatë historisë të Tahirit brenda PS-së edhe pse kjo e nxjerr zbuluar me pyetjen:

Ku ishte talenti i këtij djaloshi, që nuk kishte punuar kurrë në ndonjë zyrë për t'u bërë Ministër i Brendshëm?

Qëllimi i fytyrës “djallëzore të Ramës”(njëra nga të shumtat) është që të tregonte më tej se ai i kishte dhënë besim të plotë dhe lënë jashtë kontrollit Tahirin, me qëllim që para “popullit të tij të majtë“, në rast të arrestimit të tij , t’i thotë “I vetmi gabim i imi është që i besova më shumë se sa duhet”.

Si mundet, që një kryeministër që ditën e parë në zyrë t’i thotë një 33 vjeçari “Me gjithë ushtrinë që po të jap bëj si të duash ti dhe unë do të të mbështes!”?

Fytyrën e naivit, e njeriut pa përvojë apo të lolos përshkruan Edi Rama me këtë?

Sa më tej shkon me ligjërimin “A kam unë ndonjë faj”, aq më shumë fytyra ndrron.

Diku nga mezi ve fytyrën e të pacipit, që predikon se e ka mbrojtur Tahirin deri në fund se ai ka qënë Ministri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm në Ministrinë e Brendshme (që prej rënies të Kadri Hazbiut-shtesë e imja).

Po cila ishte arsyeja, që Rama e shkarkoi të gjithsukseshmin Tahiri në pranverën e këtij viti?

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, ndoshta Rama nuk ka gjetur dot fytyrë në garderobën e tij prej aktori tragji-komik.

Më pas, teksa vendos fytyrën e trimit, Kryeministri ngre dhe trash zërin për të demaskuar komplotin opozitë-prokurori, që sipas tij është krejt identik me arrestimin e kahershëm të Fatos Nanos.

Por, dashje pa dashje, fytyra i merr shprehjen e një trimi budalla, sepse qëllimisht harron, që e gjitha fillon jo me fjalë gazetash, por me një dosje të prokurorisë italiane, ku përgjimet përputhen me dëshmitë e para dy viteve të një oficeri policie, të cilin Tahiri, me mbështetjen e Ramës për pak e kalbi në burg.

Afër fundit, pafytyrësia e tij arrin kulmin kur vendos një maskë aristoteliane dhe deklamon “E dua Saimirn, por më shumë dua Drejtësinë!”. Sigurisht që është e vështirë të mbulojë narcisizmin e tij, se thuajse të gjithë (përjashto Spiropalin) e dinë që Rama nuk do jo Saimirin, por as njerëz më të afërm se ai. Drejtësinë mund ta dojë, po qe se e ka si shkop në dorën e tij.

Pasi e dëgjon, të vjen që Ramës t’ja përplasësh në fytyrë:

“Ore mirë, që deputetët i ke nën thundër, por ti e di këtë popull fare budalla, që e transmeton fjalimin drejtpërdrejt në kanalin tënd televiziv?”

Por, në cilën fytyrë se?

Ai nuk ka një të tillë.

Të fundit