Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Gentian Gaba
Nga dita e djeshme një tjetër pikëpyetje rëndon mbi çështjen Tahiri; paradoksalisht numri i pikëpyetjeve po hedh poshtë vetë nevojën për përgjigje.
Por, nëse do të përdornim një qasje spekulative, me ndihmën e principit metodologjik të njohur si “Brisku i Okamit”, duke mbajtur hipotezat në minimum, nëse do të na duhet të zgjedhim midis dy teorive (ose midis disa tahirëve), të cilat mbështeten në mënyrë të barabartë nga të gjitha faktet e njohura, atëherë duhet të anojmë nga teoria më e thjeshtë.
Pra, nëse kemi ende dyshime nëse është ish-ministri, kamionisti, apo skipperi; në barazi faktorësh, është më e thjeshtë që të jetë kushëriri që bëhet ministër, sesa cilido Saimir tjetër.
Pikërisht kur toga e specializuar e mbylljes së skandaleve po punonte shkëlqyeshëm, kur mendohej se hemorragjia u ndalua; kur Kryeministri i kërkonte llogari PD-së për Himarën nga foltorja e Parlamentit në orvatjen e përditshme për t’i shpëtuar 'çështjes Tahiri', një tjetër skelet doli nga një dollap, që mesa duket do të na furnizojë ende gjatë me turpet e katër viteve që shkuan.
Me siguri ishte pasoja e një milion shuplakave, pasoja e një pushteti gati absolut që Partia Socialiste fitoi në 2013; pasojë e ristrukturimit të PD-së që e la pa një oponencë kushtëzuese politikisht; pasojë e një LSI-e që nuk mendonte për të ardhmen, por për mbijetesën imediate.
Është dehja që vjen nga pushteti dhe dalldia që i shkon pas; është sindroma që të kap kur punët shkojnë përtej pritshmërive; është arroganca me të cilën u trajtuan të gjithë në këto katër vite; është deliri i madhështisë që të kap kur je i preferuari i shefit, dhe shefi kënaqet kur ata që i servilosen nuk janë kurrë më të mirë se ai vetë; është sindroma e të paprekshmit.
“Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”, thotë aforizma që shpjegon më së miri natyrën e kësaj dukurie. Pushteti absolut korruptoi në mënyrë absolute qeverinë e shkuar, dhe Tahiri është vetëm ilustrimi që u faktua nga "gjeometritë e fatit" të tij të keq.
Kjo është historia e Tahirit, njëkohësisht historia e Rilindjes që fiton mbi Partinë Socialiste. Është triumfi i 'çunave të shkallëve' mbi Blushin, Majkon e kështu me radhë.
Është historia e përmbysjes së rendit të gjërave, e hierarkisë brenda një force politike që prodhon mungesën e një etike dhe respekti të institucioneve, mungesën e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë, mungesën e sensit të shtetit.
Veçse, ende askush nuk merr përgjegjësi për hiç gjë. Vazhdon të jetë faji i dikujt tjetër: i qeverisë së mëparshme, i LSI-së, i PDIU-së, i drejtësisë së korruptuar, i krizës botërore, i ngrohjes globale, i Bashkimit Europian, i Merkelit, i Adamit dhe Evës.
Në këtë sipërmarrje për shkarkimin e përgjegjësisë gjetkë përgjegjësit janë të shumtë, duke filluar nga batonhaxhizmi i disa mediave, të cilat nuk lejuan që të vërtetat të shihen të zhveshura nga rrobat gjithmonë e më të reja të Mbretit.
Është batonhaxhizmi që, me instrumentat e vet, e relativizon krizën me refrenin “kush është pa mëkat të hedhë gurin e parë”, e bën opozitën të duket si e fanepsur mbas pushtetit, paçka përdorimi i zërit të saj akuzator është i vetmi pushtet që realisht ka. Ky është “spin”, zonja dhe zotërinj, është tentativë për të bërë Bashën të duket si Kasandra e mitologjisë; simbol i atij që parasheh saktë të ardhmen, por mbetet i dënuar ta përjetojë këtë dhunti të vetën si dramë, meqë parashikimet nuk ia besojnë kurrë, edhe pse ato i vërtetohen rregullisht.
Por mbi të gjitha është përgjegjësia dhe faj ynë si qytetarë. Është faji ynë sepse i vetmi organizim publik i këtyre ditëve, ishte ai i militantëve të Kombinatit në mbrojtje të beniaminit të tyre për të na dëshumar sa i mirë është Tahiri; ne të të tjerët u fshehëm pas “likeve” dhe komenteve në Facebook, në pritje që të vijë dita që një politikan të dijë nder e turp dhe të thotë “jam fajtor”. Por, ndoshta, atë ditë do të jemi të gjithë matanë kufijve tanë për faj të atyre që nuk e thanë kurrë.