Flash News

KRYESORE

Sa shpejt themi kur*ë

Sa shpejt themi kur*ë

Zhaklin Lekatari

Kur*ë. Sa herë e kemi thënë, sa herë na e kanë thënë, ajo është një kur*ë apo që jemi kur*a. Kshu gruaja gruas, përpara grave të tjera.

Në fakt, cilido qoftë krimi i kryer nga një grua, që nga vrasja dhe deri te dekolteja e hapur, etiketa është po e njëjtë: kur*ë. Nuk ka rëndësi nëse ajo është narkotrafikante, oportuniste, përfituese, gënjeshtare, smiranjose, raciste, ksenofobe, homofobe, egoiste, hajdute, injorante. Ofendimi apo fyerja parësore- qoftë apo jo fajtore-  që në mënyrë të patjetërsueshme njihet  ndërkombëtarisht është i njëjti: kur*ë (ndjekur nga një inventar i madh i të njëjtës fjalë, të përbërë, si: bir kur*e, kur*a e mamit tat). Është një habitus kaq i ngulitur saqë të gjithë e njohim këtë fjalë dhe në gjuhë të tjera, anglisht (bitch), spanjisht (puta). 

Kur isha në gjimnaz ekzistonin dhe shumë versione të kësaj etikete si për të forcuar akoma më shumë kur*llëkun.

Gratë, me sa duket, janë kur*a gjithmonë. Janë nëse flirtojnë shumë; nëse janë shumë provokuese; nëse janë të vetëdijshme për sharmin që kanë; nëse janë tërheqëse; nëse janë të pavarura; nëse janë sensuale dhe luajnë më atë që posedojnë; nëse bëjnë karrierë; nëse janë të lira dhe të pavarura; nëse janë kompetitive; nëse i tregojnë një sekret dikujt; nëse përfitojnë nga seksi për favore; nëse bëjnë seks; nëse shkojnë në krevat me burrin e gabuar, me burrin e një shoqeje, kolegeje, mikeje, dashnoreje.

Të jemi të qartë, gratë janë kur*a për shumë më pak. Nëse të prêt rrugën në trafik, nëse na kalojnë rradhën në supermarket, nëse në dyqan marrin numrin e fundit të asaj mase këpucësh. Ajo që më habit në këtë zgjedhje semantike, është që të gjitha këto fjalë, janë ofenduese per gjininë tonë dhe shpesh herë nuk e vemë re se sa me lehtësi i themi njëra tjetrës kur*ë dhe sinonime të tjera. Sepse, gjuha e bukur dhe e pasur shqipe ka një numër të pafund emërtimesh dhe sinonimesh, më të sakta dhe më pak ofenduese se sa kur*ë.

Unë, që jam mbështetëse e madhe e fjalëve të pista, sepse e njoh fuqinë e tyre në gjuhën e folur, besoj se fjala “kur*ë” e thënë kaq lehtë është një shmangie, një degjenerim, një keqtrajtim dialektik, që edhe ne gratë përdorim. Është thellësisht seksiste, dhe vetëm për këtë arsye duhet ta refuzojmë me forcë. Duhet të jemi më krijuese nëse e ndjejmë urgjencën për të thënë gjëra të çuditshme për gra të tjera.

Probemi qëndron pikërisht këtu: në seksizmin e roleve gjinore, që na duan pranë vatrës së shtëpisë dhe bomba në shtrat, retorika e murgeshës dhe punonjëses së seksit, që ul dhe zhvesh një gjë komplekse dhe eklektike siç është feminiliteti. Sepse bota është plot me gra të mira dhe të këqija. Pjesa më e madhe janë pak njëra e pak tjetra. Përderisa vazhdojmë t'i quajmë shoqet tona kur*a, mund dhe të mos i bëjmë marketing vetes duke thënë që jemi të emancipuara. Nëse njëra është e keqe është e keqe. Jo kur*ë. Duket një budallallëk, por nuk është, sepse fjalët që zgjedhim thonë shumë për ne, më shumë sa sa duam të themi.

Mos harro që sa herë i thua dikujt kur*ë, po vjedh një copëz procesi zhvillues kulturor që zgjat prej dekadash, që nuk është përmbushur dhe që do të zgjasë akoma për shumë kohë. Mos harro që nëse i thua shoqes kur*ë po bllokon procesin e zhvillimit dhe kulturës. Çdo kur*ë është një gur më pak. Në këtë lojë asnjëra prej nesh nuk fiton. As shënjtorja e as kur*a. Në fund janë e njëjta gjë: gra.

*Botohet me lejen e autores, shkrimet e së cilës i gjeni te: tabu.al

Të fundit