Sa(i)mir’ Vendimi

Alfred Lela

Saimir Tahiri shfaqte hapur gëzimin dhe hutimin e një fëmije, mbrëmjen e vonë të së enjtes, kur gjykata i shqiptoi ‘vendimin’ duke e shkarkuar nga barra e rëndë e akuzave për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘trafik droge’. Këtë tronditje nga lumturia ish-ministri i Brendshëm e shfaqi edhe kur u përball me gazetarët; aq sa filloi të përsëriste veten dhe të humbte rrjedhën e kuptimin e fjalive.

Saimir Tahiri na ka ftuar shpesh gjatë kësaj kohe ta shohim dhe gjykojmë si njeri. “Burgun do ta bëj unë”, “im bir” etj dukeshin si të përgatitura për ta ftuar publikun dhe median te drama njerëzore. Frustrimi dhe lotët, që i kanë ‘stërpikur’ ekranet e televiziorëve të shqiptarëve kanë qenë ‘teknikë’ për të shpëtuar lëkurën, por automatikisht ato kanë ndihmuar që të zhveshin nga negativja projektin politik të mazhorancës për lejimin e kanabizmit të vendit me të gjitha pasojat e tij.

Për këtë arsye ai fliste me kode kur pyetej për eksponenët e partisë. Po u thoshte të vetëve se dëmin e projektit të përbashkët nuk kishte pse ta paguante ai, sa kohë që shpërblimi kishte qenë kolektiv. Kujtohen qartë sinjalet me ‘nuk keni parë gjë akoma’, apo të tjera të mëvonshme, ‘me anëtarë familje ministrash të ngatërruar me trafik droge’.

Ish-ministri shfaqej dual: kërcënues me të vetët dhe njerëzor me publikun, duke u munduar që ta fitonte në gjykatën e opinionit gjyqin që ai kishte me Republikën e Shqipërisë.

Nëse Tahiri është zhvendosur mbrëmë drejt pafajësisë, Republika ka mbetur po aty: në të njëjtën kënetë dyshimesh për pandëshkueshmëri. Vendimi për Tahirin nuk është i padrejtë në vetvete, pasi gjykata, e gjendur ngushtë para akuzave ‘çnjerëzore’ të Prokurorisë, lëvizi drejt një gjykimi më shumë se vendimi.

Tahiri është gjykuar për veprimet dhe mosveprimet e tij, por gjykata nuk ka vendosur për to. Treshja që përfaqësonte Republikën mund të ishin fare mirë tre analistë në studio televizive. Mund të thuhet madje se komentariati politik i Tiranës ka qenë e vetmja palë e fituar e procesit Tahiri. Vendimi kullonte identitetin e tezës së strukturuar me forcë nga një pjesë e analistëve gjatë dy viteve të fundit për ‘kanabizimin’ e vendit. Konsensusi i ndërtuar në studiot televizive u zhvendos në aulat e Gjykatës së Republikës.

Megjithatë, mbetet gjykim dhe jo vendim apo dënim.

Përpjekja titanike e shumicës së Ramës vazhdon e njëjtë: shmangia, si nga përgjegjësia politike, ashtu dhe nga ajo penale. Një ish-eksponent i Rilindjes i ka shpëtuar kësaj të fundit, por jo së parës.

Teza se vendi është kanabizuar dhe detyra e qeverisjes është shpërdoruar nga funksionarë të lartë të shtetit, duhet të rezonojë në publik, qeveri dhe qeveribërje. Opozita nuk ka marrë ‘kokën’ e Tahirit, por një shpërblim duhet ta çmojë te ajo që ka ndodhur me ish-ministrin.

Bima që përmbyti hartën dhe ekonominë e Shqipërisë ka mbirë më në fund edhe në terminologjinë juridike të Republikës. Precedenti që krijohet nuk është hakmarrës, siç opozita do ta donte, por nuk është pak, megjithatë.