Saimiri, Agroni dhe Erioni/ Tre intervistat e bujshme që u bllokuan nga televizionet shqiptare (Video)

Jetmir Olldashi është gazetari që ka intervistuar Albert Veliun, dëshmitari X në audio-përgjimin e Agron Xhafajt. Sot, pas dëshmisë që ka dhënë në Prokurori, Olldashi ka sqaruar nëpërmjet një deklarate publike prapaskenat e skandalit “Xhafaj”.

Gazetari tregon se për investigimin që po zhvillonte ndaj Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka njoftuar emisionin dhe televizionin ku punonte, që sipas raportimeve në media, rezulton të jetë ‘Të Paekspozuarit’ në kohën kur transmetohej në ‘News 24’.

Por gjatë kohës që zhvillonte investigimin, Jetmir Olldashi është larguar nga emisioni dhe ky material mbeti i papublikuar dhe pa mbështetje.

“E kam telefonuar personin të cilin ju tashmë e njihni me emrin Albert Veliu. Kam dëgjuar rrefimet e tij mbi situatën e drogës në Vlorë, dhe pas disa takimesh vendosa të shkoja në terren. Njoftova emisionin dhe televizionin në të cilin punoja dhe shkova në Vlorë me Albert Veliun. Gjatë këtij udhëtimi shkuam në lokalin e Agron Xhafajt… Në këto kushte duke patur parasysh se flitej për vëllan e Ministrit të Brendshëm në detyrë, çështja ishte tepër sensitive dhe me shume rrisk. Vlerësova se siguria fizike e burimit tim dhe e imja ishte në rrezik. Brenda asaj kohe ndodhi dhe largimi im nga emisioni në të cilin bëja pjesë.Pas disa kohësh, duke mos patur mundësi transmetimi të materialit, dhe pa asnjë mbështetje në lidhje me këtë investigim që kisha kryer, vendosa të kontaktoj me Partinë Demokratike, për interesin që ky institucion ka patur gjatë gjithë kohës për të denoncuar trafikun e drogës”, shkruan ndër të tjera Olldashi.

Një pjesë e investigimit të realizuar nga gazetari, intervista me Albert Veliun, u publikua nga Partia Demokratike.

Por investigimi i Olldashit dhe intervista me Veliun nuk janë të parat e këtyre përmasave, që implikojnë drejtpërdrejtë zyrtarë të lartë të pushtetit dhe që censurohen nga televizionet shqiptare.

Në nëntor të 2015-ës, kur vendi ishte mbushur me kanabis, gazetari tjetër investigativ, Basir Çollaku, u përpoq të transmetonte në televizionin ‘News 24’ intervistën e Dritan Zaganit, ish-shefi i Antidrogës në Fier.

Zagani akuzonte aty direkt ministrin e Brendshëm të kohës, Saimir Tahirin, për lidhje me trafikun e drogës nëpërmjet kushërinjve të tij, Habliaj. News 24 e nisi transmetinin e intervistës, por pas disa minutash u detyrua ta ndërpresë. Arsyet nuk u mësuan asnjëherë, të paktën zyrtarisht.

Gazetari Çollaku u detyrua ta publikonte intervistën e plotë në faqen e tij të ‘Facebook’, për t’u shpërndarë më pas në dhjetëra portale.

Vetëm pas reagimit të fortë rrjetet sociale dhe deklaratave të Partisë Demokratike, asaj interviste iu dha hapësirë e madhe plotë në emisionin ‘Opinion’, në Tv Klan.

Tre vite pas asaj interviste, disa prej anëtarëve të bandës së Habilajve ndodhen në burg në Itali për trafik droge, ndërsa ish-ministri Tahiri në ‘arrest shtëpie’.

Një situatë e ngjashme u ripërsërit një vit pas skandalit të denoncuar nga gazetari Basir Çollaku. Në tetor të 2016-ës, Vizion Plus do të mbyllte emisionin investigativ ‘Publicus’ pas censurimit që i bëri investigimit të gazetarit Artan Rama, lidhur me vdekjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Investigimi nxirrte në pah përfshirjen në skandal të bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili po përpiqej të shmangte vëmendjen mediatike për këtë çështje. Gazetarët kishin intervistuar familjarët e viktimës, të cilin jepnin detaje të reja dhe bënin thirrje për drejtësi. Emisioni u mbyll papritur nga drejtuesit e televizionit dhe investigimi së bashku me intervistat, nuk u publikua.

I gjendur në këto kushte, gazetari Rama ashtu si kolegu i tij Çollaku, e publikoi të plotë në ‘Facebook’ investigimin e çështjes ‘Gjoklaj’.

Reagimi në rrjetet sociale ishte i njëjtë si me denoncimin e Zaganit, ndërsa Partia Demokratike denoncoi censurën në seancat plenare dhe në Komisionet e Kuvendit.

Sërish ishte emisioni ‘Opinion’ që e publikoi investigimin e plotë, por vetëm pasi publiku e kishte ndjekur në rrjetet sociale.

Dy vite pas ngjarjes tragjike, Gjykata ka akuzuar Prokurorinë për hetim selektiv dhe të pa plotë për vdekjen e 17 vjeçarit. Askush nuk është shpallur fajtor për vdekjen e Ardit Gjoklajt.

Sot, gazetari Jetmir Olldashi gjendet në të njëjtën situatë si kolegët e tij. Investigimi që ai kreu për vëllain e ministrit të Brendshëm nuk ka gjetur hapësirë në televizionet shqiptare.

Vetëm pasi PD është përfshirë sërish në denoncimin e skandalit, vijnë sinjalet se investigimi i plotë do të transmetohet në një prej emisioneve.