Flash News

KRYESORE

“Sandri më vinte në zyrë çdo ditë e më thoshte: ejjjj, jam i djathtë unë!”

“Sandri më vinte në zyrë çdo ditë e më

nga Agron Gjekmarkaj/ Panorama

Ajo që spikati dje ishte dhuna ndaj të rinjve e të rejave si dhe politikanëve të ndryshëm përgjatë gjithë ditës! Kjo ndodhi pasi Edi Rama ja doli të përdorë skemat e komunizmit duke i  vendosur  aktorët pro dhe kundër pasi disa i ka shpërblyer me pensione speciale!  Po kaq, shembjen e Teatrit e realizoi natën në ora 4 e 30 të mëngjesit, orar ky i parapëlqyer për ekzekutime, në breg të lumit në Tiranë apo te çinarët e Rrmajit në Shkodër në vitet 1945-46! Dje për shumë njerëz ishte një ditë tragjike! E kam përjetuar me dhimbje të madhe! Më shumë se çdo gjë ajo që befasoi ishte sjellja e policisë, motivimi i saj për të të rrahur, fyer e poshtëruar.

Fotografitë me shkelma mbi fytyrë e mbi bark që policët u vendosnin egërsisht viktimave të tyre të dorëzuara ishte dëshmi që bestialiteti mes nesh dhe indoktrinimi ideologjik është shumë i fortë! Këta policë dhe drejtuesit e tyre, atdhe kanë partinë dhe pushtetin, të qenit shqiptar për ta nuk është asgjë para të qenit socialist apo rilindas! Ata nuk na mbrojnë, por na urrejnë të gjithëve ne që nuk jemi si ata!

Pamjet me publicistin dhe analistin Alfred Lela të cilin po e leçisnin nën brutalitet dhe sharje policësh  militant e militantesh policë, na bëjnë me dije sa afër e kemi të kaluaren, sa lehtë na afrohet ajo, si na ndjek e si nuk na ndahet!

Sandër Lleshin e kam patur një nga miqtë më të afërt e më të mire. Sëpaku kështu besoja, e kam patur të tillë kur ishte një i djathtë konservator, e gjithaq kur u bë një i majtë i bindur duke ja justifikuar pa bindje, por me dashamirësi luhatjet nxitur nga disa padrejtësi që i mendoja si të tilla ndaj karrierës së tij ushtarake në kohën e qeverisjes së PD-së! Prej kohësh vë në dyshim aftësinë time për të njohur njerëzit! Vras mendjen dhe nuk e gjej dot ku e ka fshehur ndër vite ai njeri gjithë atë urrejtje, ato komplekse për njerëzit, ku e ka fshehur gjithë atë potencial frustrimi e servilizmi si dhe zelli për t’u nënshtruar e për të shërbyer, atë çapitje të pafund egoizmi vetëm për një karrige, për një shofer që i hap derën kur zbret, nevojën për truprojat e gjatë mes të cilave humbet tek ecën me delir për t’u dukur personalitet, atë arrogancë me ata që s’ka interes dhe lëbyrje ndaj eprorëve! Më ka pasë thënë Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, por e merrja si shaka, “Sandri më vinte në zyrë çdo ditë me thoshte: ejjjj jam i djathtë unë”! Sepse, kur njeriu është s’ka nevojë ta pohojë dhe e njihja për të tillë!

Tani e imagjinoj tek shkon në zyrën e Gramoz Rucit apo Erjon Braçes duke vikatur “ej, jam i majtë unë“! Se besoja kurrë të arrija në përfundimin që i paskëshim rënë në qafë Fatmir Xhafës! Zor të besohet se Xhafaj do ta lejonte këte festival dhune, madje as Saimir Tahiri! Në fakt, sado që i shame, ata se bënë kurrë, nuk  prekën gazetarë me dorë! Duke patur një histori politike nga pas ata kishin më shtyllë kurrizore!

Më la pa fjalë gjuha e tij e urrejtjes (Lleshajt) që kur filluan protestat e studentëve dhe të pedagogëve, ku ai ishte më agresivi dhe patetiku në komunikime të brendshme dhe publike duke dërguar policë në Fakultetin ku punonin miqtë e tij, për të arritur apogjeun gjatë vitit të protestave opozitare, për t’u zvjerdhur tani kur mundohet të qeshë i pari me memet që shpërndan Edi Rama ku tallet shefi i opozitës! Në këtë cirk karakteri ai stimulon dhunën e vartësve të tij! Lleshi bëhet trim sot nga servilizmi, nga nevoja shpirtërore që ka për pushtet e rol dhe, mbajeni mend nesër sa frikacak do të jetë kur Rama ta hedhë si një prezervativ, pasi t’i ketë kryer të gjitha punët e ndyra! Një herë e paralajmeroi duke e dëbuar nga mbledhja e qeverisë ku, pasi u skuq e tha se nuk do të ulej më në atë karrige, u rikthye prapë duke puthur këmbët e padronit! Ndonëse ka ngrënë bukë në shtëpinë time, e po ashtu unë në shtëpinë e tij, në këtë moment e kam bindje të thellë që nëse Edi  Rama i jep urdhër të gjejë një shkak që të më ndalojë mua apo miq të tjerë, e imagjinoj të përskuqur, të gatshëm, dihatës duke rendur për të zbatuar urdhërin! Të pres, Sandër! Hajde, ti e di që nuk jam frikacak si ti, edhe pse mund të më përgjosh telefonin apo skenarë të tjerë!

Ti në këtë rast je Pjerin Kçira që fute armët në kishën e komunitetit katolik! Një bindje më ka shoqëruar gjithmonë, që katolikët nuk janë shpërblyer kurrë sa duhet në këtë shtet në raport me kontributet që kanë dhënë në historinë e tij, teksa nga Enver Hoxha dhe shpura e tij martirizoheshin si në kohët e Golgotës! Kur Lleshi u emërua minister, nga pikëpamje simbolike e konsiderova një reflektim! Por, koha si ilaçi më i mire, po na rrefen se ai këtij komuniteti, së bashku me Gjovalin Lokën, po i vënë njollën e turpit shumë më tepër se të fortët që Rama zgjodhi për t’i përfaqësuar në parlament! Ata së paku ishin vetvetja, nuk hiqeshin për atë që nuk ishin! Pse një i krishterë duhet të bëhet paladin i dhunës?

Ministri dje mbase ka shkuar i gëzuar në shtëpi, se i gjakosi  si askush protestuesit, se e gëzoi shefin e tij, që nuk është çudi që bashkë me opozitën e re të ndryshojë kushtetutën sipas modelit Erdogan, por gjumin i cili është mjaft mistik nuk e komandon dot, do t’i bëhet haluçinativ si i Makbethit! Kjo është njëra anë e dhunës, përkufizimi i saj për pushtet, për karrige, për interes dhe ideologji për dialektalizëm politik! Si tha Lela?…policët që po e dhunonin kish akcent të fortë lab, megjithëse shumë lebërve duhet t’u kenë shkuar zorrët te hunda nga shfaqja e djeshme! Tjetra është mujsharia verbale e miqve apo pseudomiqve, e atyre që t’i i respekton për njerëz, edhe pse nuk ndan të njëjtat bindje politike që të ngacmojnë orë e çast se, ja “Rama jua shembi teatrin, e çfarë do bëni tani, ku shkoi vija e kuqe u bë llastik brekësh?! Nuk e besoja kurrë që do të gjenin kaq zulmë te dhuna, kaq gëzim hipokrit të lidhur me fitime direkte pa asnjë ideal, të ishin kaq bij skllevërish…?

Nuk do kisha patur kurrë guximin t’i përkufizoja si fytyrëshollë që nuk u intereson kurrë liria dhe dinjiteti para një grushti me euro! Ky është banaliteti i së keqes, fatkeqësia e këtij vendi të vogël e me pak banorë, që çmon më tepër urrejtjen sesa dashurinë për tjetrin, poshtërimin para respektit, grushtin para fjales! Një miku im mjek e ish-politikan, fjalën e të cilit e çmoj, alergjik ndaj Edi Ramës, më shkruante sot në ëhatsapp “se nuk të lexoj më” pas shkrimit ku thoja që Teatrin nuk e shembi Basha, por Rama, nuk mund të vihet shenja e barazimit midis agresorit dhe viktimës! Ai pohim më shtoi bindjen se shqiptarët duan ndryshim më shumë se rrotacion, dhe se Bashën e duan më ndryshe nga  ai ç’është aktualisht. L. Basha nuk mund të jetë më spontan e rastësor, me njerëz pa impakt publik anash tij, ai ka detyrimin që të ndërtojë një projekt të madh bashkimi qytetar e politik, me kushtin për të themeluar rregulla e institucione!

Mbi të gjitha të ndërtojë coherence, ku pas çdo fjale të ketë një akt, përndryshe nuk e merr besimin e një shoqërie të rrëzuar nga e keqja dhe varfëria! Nuk do t’i dhimbsej askujt Basha si individ, nëse dështon, por do të ishte fatalitet legalizimi i dhunës e diktaturës nëpërmjet zgjedhjeve të kërcënuara nga vullneti i Edi Rames apo zelli i Sandër Lleshit, Gjovalin Lokës e të tjerë, ndaj duhet mbështetur Basha si instrument i një shprese kolektive, dhe jo të qëllimit të tij personal për pushtet apo atyre që mendojnë se do të bëjnë para pasi ai të bëhet Kryeministër! Meditimi mbi dhunën e këtyre ditëve më shpie në përfundime të tilla që keqbërësi më i madh i Shqipërisë sot është artisti i  shndërruar në dhunues e shprehu piktori me famë europiane Ardian Paci!

 

Të fundit