S’dekretoi kreun e Akademisë së Shkencave, Asambleja kërkesë Metës: Rishqyrto qëndrimin për Gjinushin

Asambleja e Akademisë së Shkencave i ka kërkuar presidentit Ilir Meta që të rishqyrtojë edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me mosdrektimin e Skënder Gjinushit si kryetar i këtij institucioni.

Pas përfundimit të mbledhjes, zv.kryetari Vasil Tole tha për gazetarët se qëndrimi i presidentit për të mos i njohur zgjedhjet e zhvilluara më 24 maj nuk qëndron dhe se Skender Gjinushi nuk ka qenë në papajtueshmëri me ligjin.

“Asambleja u shpreh me vendim duke mbështetur propozimin e këshillit ekzekutiv që përbëhet nga zv,kryetarët, dy krerët e seksionet për t’i kërkuar rishqyrtimin e qëndrimit të tij për emërimin e kreut të zgjedhur, Skënder Gjinushi.

Vendimi i asamblesë së ASH për zgjedhjen e kreut të akademisë me pjesëmarrje të 43 akademikëve nga 44, është në fuqi, nuk ka patur asnjë ankimin gjatë kësaj periudhe. Duke qenë që ky vendim është në fuqi dhe vetëm gjykatat rrëzojnë, i kërkojmë presidentit për ta riparë edhe një herë dekretin e tij”, tha Tole.

Lidhur me argumentet që kishte parashtruar presidenca kur refuzoi të dekretoi kryetarin e ASH, Tole i hedh poshtë duke theksuar se Skënder Gjinushi nuk ka qenë në papajtueshmëri mandatesh si kryetar partie dhe anëtar i Akademisë së Shkencave.

“Presidenca theksonte faktin se ishte mospërputhshmëria e mandateve në të njëjtën kohë shkak për mos dekretimin e Gjinushit. Ai ishte anëtar dhe kryetar partie njëherësh gjatë kohës së zgjedhjeve në maj, me dokumentacionin e shqyrtuar në asamble, Gjinushi nuk ka qenë në papajtueshmëri, prandaj i kërkojmë zyrtarisht rishqyrtimin e vendimit për emërimin e Gjinushit”, tha Vasil Tole.

Meta nuk dekreton emërimin e Skënder Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave