Flash News

KRYESORE

Seanca plenare, dy çështjet që do të “ndezin” debate sot në Kuvend

Seanca plenare, dy çështjet që do të “ndezin”

Seanca e sotme në Kuvend pritet të zhvillohet mes shumë debatesh.

Ndër pikat e rendit të ditës, dy janë ato që pritet të shkaktojnë debate mes mazhorancës dhe opozitës.

Çështja "Cakaj"

Pajisja e zv.ministrit me kompetencat e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj me certifikatë të sigurisë është pikëpytja për të cilën opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor.

Kjo kërkesë është ngritur nga çereku i deputetëve në Kuvend.

“Kërkesë e më shumë se ¼ së deputetëve të Kuvendit, anëtarë të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim “Për ngritjen e komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë e tij si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme, apo detyra të tjera shtetërore”, sqarohet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.

Dekreti i Metës për kreun e KLSH

Dekreti i presidentit Ilir Meta lidhur me propozimin për kreun e ri të KLSH, Bahri Shaqiri është një tjetër pikë diskutimi, që pritet të prodhojë debate.

Kujtojmë se Komisioni i Ekonomisë ka hedhur poshtë kandidaturën e Bahri Shaqirit për postin vakant të kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, me argumentin se nuk plotëson kriterin kushtetues të eksperiencës në fushën financiare.

Përgjimet

Po ashtu, seanca zhvillohet sot një ditë pas publikimit të përgjimeve të reja nga “Zëri i Amerikës” për blerjen e votave në Kavajë dhe Durrës, ku dalin në skenë vëllezërit Avdylaj, ndërsa në Lezhë është “kujdesur” vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka.

Përgjimet dëshmojnë se grupi “Avdyly”, veç dyshimeve për korrupsion dhe falsifikim tokash, kanë blerë vota për kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.

Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.

Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

Të fundit