Flash News

KRYESORE

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, romani i Stefan Çapalikut botohet edhe në Itali

Vëllimi i parë i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (Ognuno impazzisce a modo suo) të Stefan Çapalikut është botuar edhe në Itali. Libri është përkthyer nga shqipja në italisht nga shkrimtari dhe përkthyesi Durim Taçi dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “Lubrina Bramani Editore” me seli në Bergamo.

Ky botim vjen pas atyre në: Paris, “Chacun s’affole a sa maniere”, përkthyer nga Ardian Marashi dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Meet”; Beograd, “Svako poludi na svoj nacin”, përkthyer nga Danillo Brajovic dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Clio”; Shkup, “Sekoj poluduva na svoj nacin”, përkthyer nga Jordana Shemko dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Ars Lamina”. Së shpejti pritet të botohet edhe në gjermanisht.

Komente për romanin:

Nuk mund të ketë nëntekst tjetër të autorit veç vlerësimit të rreptë, vertikal, mes atyre që e refuzuan tiraninë direkt, dhe shumicës së mbijetuar, pra vetes dhe të gjithëve ne. (Lek Tasi)

Ja, kjo është ëndrra e shkruar në formë romani e Stefan Çapalikut. Ëndrra e një brezi. Ëndrra që çliron kujtesat dhe i shndërron ato në estetikë... (Josif Papagjoni)

Në të dy vëllimet e romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” përmes rrëfimit artistik autori dialogon me të kaluarën dhe aktualitetin duke ndërthurur kujtesën biografike me trillimin artistik, irealen me realen, përjetimet individuale me ato të personazhit letrar. (Arben Prendi)

Përmes leximit të veprës “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, sheh shoqërinë e “rrëfimeve të moçme shqiptare” - njerëzit me shumë shpirt, madje edhe në kohët e pashpirta. (Agron Shala)

Në njërën anë kjo është një “rrno për me tregue” dhe, nga ana tjetër, është një vështrim përpara si një dashuri për jetën, një gazmend i natyrshëm i etjes për të, një botë që përthithet syve të çuditur prej një bote që çmendet përditë e çmendet ende sot. (Brikena Smajli)

Është një roman që lexohet me endje e kërshëri fletë pas flete. Madje ndonjëherë, ke ndjesinë se këtu janë konsumuar disa romane, që mund të ishin endur fare mirë si vepra më vete. (Ymer Çiraku)

Stefan Çapaliku ka mundur të ruajë përgjatë fabulës së romanit një raport të drejtë midis hapësirës së unit narrator dhe personazheve të tjerë, unit dhe familjes së tij intelektuale, ka ruajtur edhe përmasat e ngjarjeve në teatrin  e veprimeve. (Tefë Topalli)

Ka shumë arsye pse duhet ta lexojmë Stefan Çapalikun por mbi të gjitha është ajo e thumbimit të sistemit me hoka shkodrani. (Melsen Kafilaj)

Stefan Çapaliku është vetvetja, që domethënë i pashok me letërsinë e tij, teatrin e tij, regjinë e tij, estetikën e tij, humorin e tij. Shkurt është ai që i bën të gjitha këto sipas mënyrës së vet, sikurse edhe këtë roman. (Kastriot Marku)

Të fundit