Flash News

KRYESORE

Secili zgjeben e vet

Secili zgjeben e vet

Nga Edison Ypi

Në një vend ballkanik e aq më tepër në Shqipërinë plot me shqiptarë nervozë, zevzekë e trazovaçë, të pamësuar me rezultatet befasuese të lojërave elektorale numerike pluraliste, humbësi dhe fitimtari të mbeten njësoj të kënaqur nga pritshmëritë elektorale, për një mijë arsye, nuk ka ndodhur dhe mund të ndodhë.

Humbësi shqiptar, gjithmonë ankohet se, ka mbjellë shumë dhe ka korrur pak, ka fituar pak dhe ka humbur kot.

Fitimtari shqiptar gjithmonë krekoset heshtur, duke nënkuptuar se ka fituar me meritë.

Duke mos llogaritur Diktaturën, kur nuk kishte fitimtarë dhe humbës, por vetëm dhunë mbi të gjithë, në një rast të vetëm në Historinë e Shqipërisë - në zgjedhjet e fundit - partia e trashëgimisë komuniste, fitoi ndaj partisë përfaqësuese të viktimave të paraardhësve të vet, një numur prej të cilëve ende aktivë në politikë dhe pushtet, aq sa u habit edhe vetë, aq sa edhe më optimistët e saj, nuk e kishin parashikuar. Madje, çka është më se e dukshme te sjellja e eksponentëve të kësaj partie, edhe u frikësua.

Përtej të gjitha hamendjeve, supozimeve, pretendimeve, zhbalancimi kolosal elektoral i ka krijuar partisë së megafitores, një gjendje parehatie të dukshme. Gjendjen e çuditshme dhe të rrallë, kur fitimtarët po i shtyp fitorja. Pesha e tepërt e stërfitores, peshë dhe shtypje që fitimtarët nuk po e mbajnë dot, i ka sëmurur fitimtarët me një krruajtje dhe një zgjebe që aman o zot. Do ishte e natyrshme që fitimtarët ta mbanin atë zgjebe për vete dhe të përpiqeshin t’i gjenin ndonjë ilaç, ndonjë shërim. Por nuk po e mbajnë zgjeben për vete. Po përpiqen që, zgjeben e tyre ta heqin nga vetja, ta vuajë Opozita. Si po u vjen dorësh. Me të gjitha mënyrat.

Gazeta me të gjithë titujt e faqes së parë të çdo dite, kundra Opozitës.

Shkrime, opinione, analiza, vetëm e vetëm kundra Opozitës.

Banaqe televizivë, plot e përplot me kalemxhinj të shitur, në pritje të kockës që, drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, masakrojnë Opozitën.

Biseda, intervista, muhabete të çartuna, ndonjëherë edhe gjatë programeve televizive me përmbajtje kulinare, me shënjestër, vetëm e vetëm, Opozitën.

I janë vërsulur ta vrasin Opozitën dhe t’i masakrojnë kufomën. Po e bëjnë këtë turp e këtë tmerr, pikërisht ata që, në vitet e kaluara kur pushteti i sotëm ka qenë Opozitë, vetë dhe me ndihmën e pakursyer të hordhisë të së ashtuquajturës Shoqëri Civile, kanë bërtitur në kupë të qiellit, për domosdoshmërinë e Opozitës, për të mirat e Opozitës, e deri për qefin e madh të të qenët në opozitë.

Do kishte qenë gjëja më e arsyeshme, pse jo dhe e pritshme, që pas stërfitores në zgjedhjet e fundit, për ta ekuilibruar disi situatën në favor të vetes dhe të një paqeje apo ekuilibri të përgjithshëm, fitimtarët të ishin të butë me humbësit.

Por po ndodh e kundërta, çka është në dëmin e të gjithëve.

Në themelin e tij, pluralizmi demokratik ka një parim tejet të rëndësishëm.

Pushteti duhet penguar me çdo mënyrë, të bëhet omnipotent. S'ka rrezik më të madh, për cilindo vend demokratik, sesa shpërdorimi i pushtetit! Pushteti duhet penguar t’i përdorë instrumentet dhe mjetet që i duhen për të punuar, në dëm të opozitës, duke u forcuar dhe zgjeruar jashtë mase.

Opozita duhet ndihmuar të mos dobësohet, edhe nga pushteti.

"Opozita duhet ndihmuar", për shumë shqiptarë të sotëm me mendje të hallakatura nga leximi i gazetave dhe këqyrja e televizorëve, sidomos për fanatikët e shumtë, tingëllon absurde. Por kështu është. S'ka mënyrë tjetër për të vendosur ekuilibrin, që nuk i duhet vetëm pushtetit e as vetëm opozitës, por të dyve, pra të gjithëve.

Ky pushtet, Opozitën, jo vetëm po e dobëson, por po do që ta vrasë, ta groposë, t’i mbjellë dhe qiparizin sipër varrit.

Grykësia e pushtetit të sotëm për fuqizim të pafundmë, është një tmerr tepër i madh në dëm të së tashmes dhe të së ardhmes së vendit.

Provat se, Opozita e sotme po masakrohet nga pushteti ciklopik, janë aq të dukshme, sa kot me u zgjat.

Tmerri tjetër është se, vetë Opozita ka rënë në kurthin me krruajtje dhe zgjebe që i ka ngritur Pushteti. Para tablosë haluçinante të masakrimit të pandalshëm, Opozitës që efektivisht ka humbur, Opozitës së ndodhur karshi tollovisë mediatike dhe sulmit frontal të paarsyeshëm dhe të pajustifikueshëm të pushtetit në të gjitha nivelet, Opozitës si elektorat dhe infrastrukturë politike, i është ngritur mendja, i janë acaruar nervat, ka humbur toruan, është torollepsur, nuk i besohet se ka humbur, i duket se ka fituar, ka rënë në kurthin e refuzimit të gjithçkaje, në kurthin e vetëshkatërrimit, deri në vetëvrasje, deri në harakiri.

Tabloja me Pushtet krruajtës dhe zgjebarak të papërmbajtur, që kërkon ta infektojnë me krruajtje dhe zgjebe Opozitën, e ka mbushur tablonë politike dhe shoqërore plot me perceptime të gabuara dhe të përmbysura në të dy anët, plot me fitimtarë humbës dhe humbës fitimtarë.

Trashëgimtarët e falangave komuniste të shndërruar në socialista dhe të shumëzuar me çuna, çupa, nipa, mbesa, sorollopër, janë numerikisht më tepër se viktimat e tyre, demokratë, ballistë, mbretërorë etj. Pothuaj tridhjetë vjet pas diktaturës së egër, të kesh ende shumë më tepër persekutorë se të persekutuar, është turp kombëtar! Kush nuk e sheh kështu, është qorr ose budalla!

Zotërinj pushtetarë, trashëgimtarë të persekutorëve, nuk duhet t’i vërsuleni me kuç e maç për t’ia masakruar kufomën përfaqësuesve të viktimave, Opozitës! Është turp dhe dëm i pallogaritshëm i brendshëm dhe i jashtëm!

Javash, bré burra! E dimë që opozita nuk është pa zgjebe. Po të ishte pa zgjebe Opozita, sot rraca juaj nuk do ekzistonte. Do ishit zhdukur përgjithmonë, me far e me fis, para se të merrnit pushtetin me anë të skemave financiare, kur pushteti i atëhershëm Opozita e sotme, duke mos ua masakruar kufomën, e demonstroi një masë mëshire për ju! Mirë bëri! Merrni pak nga ai shembull. Mos e vrisni Opozitën! Vuajeni dhe krruajeni vetë zgjeben tuaj! Secili zgjeben e vet! Përndryshe, zgjebet bëhen kancer. (AFP.al)

Të fundit