Sejamini: Rama si nazistët se kërkon që të damkosë portalet, mediat kryesore i zotëron

Gazetari Neritan Sejamini mendon se paketa antishpifje do të përdoret nga kryeministri Edi Rama që të censurojë median online. Ai në emisionin “të Pakespozuarit” në News 24 tha se nuk është shumë i shqetësuar për pasojat direkte të këtij ligji, sepse mendon se ky ligj ose do të zbutet, ose do të tërhiqet, ose do të zvarritet.

“Ajo që është e qartë, është se ka një përpjekje të qëllimtë dhe sistematike të kryeministrit për të mbyllur disa zëra, të cilët informojnë ose bëjnë analiza të cilat nuk i shkojnë për shtat kryeministrit. Këto janë disa portale të reja, disa inisiativa të reja, të cilat janë mediat më pak të fuqishme nga ana financiare. Po ta shohësh pjesën tjetër të mediave, shumica e mediave, të gjitha mediat kryesore në vend, janë të financuara dhe mbahen ne jetë nga qeveria. Ose përmes subvencionimeve dhe financimeve direkte, përmes reklamave dhe kontratave direkte me qeverinë. Ose sepse mbas tyre ka biznese të cilat jetojnë me koncesione, kontrata dhe leje të cilat i jep qeveria. Pra, ka komplet median tradicionale dhe shqetësimi i tij është që, dikush, diku, thotë disa të vërteta të cilat atij nuk i pëlqejnë.”, tha Sejamini.

Ai shtoi se e gjithë kjo tentativë e qeverisë bëhet për të mbyllur gojën, ndërsa propozimin e qeverisë për të vendosur një tabelë, në ballinën e një portali, që jep mesazhin se ky portal ka kryer shpifje, e shikon të ngjashëm me damkosjen e hebrenjve nga nazistët.

“E di kush është krahasimi më i saktë me këtë gjë, është nazizmi. Të gjithë hebrenjtë u detyruan që të mbanin shenjën, në xhaketën e tyre të vinin yllin e Davidit. Ata nuk mund të udhëtonin në qytet pa yllin e Davidit. Kjo është tamam mentalitet nazist, që ai do ta përdorë”, u shpreh Sejamini.