Sekretari amerikan i Shtetit konfirmon arrestimet antiterrorizëm të marsit në Shqipëri

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka hedhur dritë mbi arrestimet e dy iranianëve të ndodhur në 22 mars të këtij viti në vendin tonë.

Në raportin “Akvititeti operacional i Iranit në Europë”, i cili u prezantua nga departamenti Amerikan i Shteti thuhet se arrestimi i dy iranianëve u bë nga autoritetet shqiptare, pasi dyshohet se ishin të lidhur me terrorizmin.

Sekretari Pompeo shkruan gjithashtu në Twitter se:” Regjimi i Iranit ka sjellë vuajtje dhe vdekje për botën dhe për popullin e vet. Vetëm në Europë, vrasjet, bombardimet, dhe sulme të tjera terroriste të sponsorizuara nga Irani kanë dëmtuar jetë të panumërta. Shpresoj që europianët ta ngrenë këtë çështje me Rouhani & Zarif në turin e tyre europian.”

Iranianët e arrestuar: Jemi gazetarë

Sa i takon ngjarjes së marsit, arrestimi i dy shtetasve janë F. Z 65 vjeç dhe S.M. 59 vjeç u bë i mundur nga SHISH dhe njësia e anti-terrorit në Policinë e Shtetit.

Momentin e ndalimit ata ishin duke bërë foto dhe u thanë oficerëve të anti-terrorit se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Një person i cili ishte i ftuar në këtë ceremoni dhe ka parë momentin e ndalimit të dy iranianëve tha se këtë aktivitet Garda e Republikës kishte ndërmarrë shërbime të përforcuara. “Punonjësit e Gardës së Republikës kishin të printuara fotot e disa personave potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e personaliteteve VIP në festimet e komunitetit bektashian”, deklaroi ai në kushtet e anonimatit.

Nga informacionet e para mësohet se dy iranianët, kishin mbërritur disa ditë më parë në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit duke kaluar pa asnjë problem kontrollin policor.

Këta dy shtetas Iranian janë ndaluar për verifikime të mëtejshme nga agjentët e antiterrorit në Shqipëri, pas informacioneve të mbërritura nga partnerët ndërkombëtar se ata kanë prirje të përfshihet në akte terroriste në vendin tonë.