Sekretari amerikan i shtetit: SHBA mund të sulmojë ushtarakisht Turqinë

Sekretari i shtetit Mike Pompeo i ka dërguar një mesazh të fortë Turqisë në lidhje me veprimet ushtarake ndaj kurdëve në Siri. Ai bëri të ditur dëshirën e presidentit Donald Trump, se ajo që ka rëndësi është paqja, por SHBA-ja gjithashtu është gati edhe për luftë ndaj turqve.

“Ne preferojmë paqen se sa luftën. Por në rast se nevojitet veprim kinetik ose veprim ushtarak, duhet të dini që Presidenti Trump është plotësisht i përgatitur për të ndërmarrë atë veprim.”, tha Pompeo për CNBC.

Gjithsesi Pompeo nuk e përcaktoi një limit i cili nëse shkelej do të sillte reagimin ushtara të amerikanëve.

“Nuk dua të dal para vendimit të presidentit nëse do të merrte përsipër ndërmarrjen e tmerrshme të përdorimit të fuqisë ushtarake të Amerikës. Ju sugjeruat fuqitë ekonomike që ne kemi përdorur. Ne me siguri do t’i përdorim ato. Ne do të përdorim fuqitë tona diplomatike gjithashtu. Këto janë preferencat tona, “shtoi ai.

Trump ka marrë kritika të shumta pas vendimit të tij për t’u tërhequr nga Siria verilindore, duke i lënë kurdët të vetëm ndaj sulmeve ushtarake turke. Kurdët kanë qenë aleatët kryesorë të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik.