Sekretari i OSBE-së takim me delegacionin shqiptar, shpreson te konsensusi për reformën zgjedhore

Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Monetalla priti sot në Kopenhagë një delegacion të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa vendi ynë do të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2020.

Delegacioni përbëhej nga kryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, nënkryetarja Senida Mesi dhe anëtari Ralf Gjoni. Atë e shoqëronte ambasadorja e Shqipërisë në Danimarkë, Elida Petoshati dhe drejtori i Shërbimit të Marrëdhënieve Dypalëshe dhe Shumëpalëshe të Kuvendit, Sidrit Minxhozi.

“OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë dhe unë kam besimin që Shqipëria do të jetë në gjendje ta çojë përpara agjendën e OSBE-së, në frymën e përgjegjësisë dhe pronësisë së përbashkët”, tha ai gjatë takimit.

Gjithashtu u fol edhe për Reformën Zgjedhore, që është edhe një prej kushteve të vendosura ndaj Shqipërisë, për çeljen e negociatave me BE-në.

Montella shpreson që të gjitha palët politike të vazhdojnë të jenë të përfshirë në proces, përfshi edhe përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentare, shoqëria civile dhe ekspertët vendas dhe të huaj. Sekretari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së përsëriti vlerësimin për tryezën e reformës zgjedhore mundësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në fund të shtatorit.