Flash News

NDËRKOMBËTARE

Senati amerikan voton pro anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, pritet firma e Trump

Senati amerikan voton pro anëtarësimit të Malit të Zi

Senati amerikan mbështeti me shumicë votash anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me shpresë se ka dërguar një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do t'u kundërvihen përpjekjeve të Rusisë për të shtuar ndikimin e saj në Evropë.

97 senatorë votuan në favor të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa dy ishin kundër. Ratifikimi kërkonte dy të tretat e votave të 100 anëtarëve të senatit, raporton Zëri i Amerikës.

Ende nuk dihet se kur mund të pritet nënshkrimi i presidentit Donald Trump, që është hapi i fundit për ratifikimin e anëtarësimit nga Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit Trump e ka mbështetur anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik, ndonëse gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, presidenti Trump kishte akuzuar anëtarët e NATO-s se kishin dështuar të paguanin detyrimet e tyre. Por, si president ai kishte premtuar mbështetje për aleancën.

Vetëm dy vota kundër ishin nga senatorët republikanë Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët edhe kishin vonuar votimin.

Senatori Paul kishte vënë në pikëpyetje maturinë e një akti që zemëron Rusinë, ndërsa theksoi se taksapaguesit amerikanë nuk duhet të dëtyrohen të paguajnë nëse Mali i Zi sulmohet.

Mali i Zi është në mes të përplasjeve ndërmjet perëndimi dhe Rusisë mbi ndikimin në Ballkan. Rezultati mund të përcaktojë orientimin e rajonit: drejt NATO-s e Bashkimit Evropian apo prapa në sferën ruse të ndikimit. Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në Ballkan.

Anëtarësimi i Malit të Zi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të NATO-s para bashkimit formal të tij në aleancë. Me miratimin nga senati amerikan, vetëm parlamenti i Spanjës nuk ka votuar ende.

Të fundit