Serbia shkakton tension në Kosovë nëpërmjet futbollit

Ndërsa faktori ndërkombëtar bën thirrje për bashkëpunim dhe marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, institucionet serbe nuk lënë rast pa provokuar.  Për Federatën e Futbollit të Kosovës është kthyer në shqetësim fakti që strukturat paralele serbe në këtë sport vazhdojnë që të funksionojnë. Ankime janë bërë te FIFA dhe UEFA, por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar.

Beogradi vazhdon provokimet. Këtë javë u hodh shorti për 1/16-at e Kupës së Serbisë. Më 25 shtator Ylli i Kuq i Beogradit do të udhëtojë në Mitrovicë për të luajtur kundër Trepçës. Kjo e fundit, një skuadër modeste dhe pa pretendime militon në Ligën e Tretë të Serbisë dhe deri tani ka zhvilluar 7 ndeshje duke regjistruar 2 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Bashkë me ekipin beogradas, do të vijnë edhe shumë tifozë, një pjesë e tyre mjaft problematikë. Grupimi “deleje” një nga më problematikët në Serbi bën tifo për Yllin e Kuq.

Më parë Ylli i Kuq ka zhvilluar disa miqësore në territorin e Kosovës, me ekipin e Granicës. Në një rast, policia ka ndaluar dhe një futbollist nga Uganda, shtet që ende nuk e njeh Kosovën si shtet sovran.

Serbia me këtë veprim e konsideron Kosovën si pjesë të saj, por me përjashtim të veriut ku ka shumicë serbe, e ka të pamundur të kryejë provokimet në pjesë të tjera të territorit.