Flash News

OP-ED

Serbia të tërheqë e para mosnjohjen e Kosovës

Serbia të tërheqë e para mosnjohjen e Kosovës

Boshko Jakshiç/ Gazeta Politika

Po hyjmë në një dhjetëvjeçar në të cilin, ndoshta, Serbia do të bëhet antare me të drejta të plota në Bashkimin Europian edhe në vitin 2020, kur, në njëfarë mënyre, pritet zgjidhja e problemit kosovar.

Amerikanët kanë vendosur të përpiqen për të evituar konfliktin dhjetravjeçar që errëson të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës, kërcënon destabilitetin e rajonit dhe fut në lojë fuqi të reja, të cilat Ballkanin Perëndimor e shndërrojnë në poligon të përballjes së interesave të tyre.

Qëkur nga fundi i vitit 2018 Donald Trampi u dërgoi letër Aleksandër Vuçiçit dhe Hashim Thaçit, duke i këshilluar të mos e humbin „shansin historik“, se marrëveshja është „sa të shtrish dorën“ dhe se do t’i presë në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, angazhimi amerikan është intensifikuar në masën që i ka shterrur durimi për projektet e munguara të Bashkimit Europian, të cilët qëndruan pezull në ajër gjashtë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Megjithëse ende radikalisht të larguar- meqënëse Beogradi refuzon mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa shumica në Kosovë hedh poshtë mundësinë e ndërkufizimit, së cilës iu përafruan Vuçiçi dhe Thaçi- të dyja palët janë gjendur në të njejtën gjatësi vale, dakord për faktin se roli i SHBA-ve do të jetë vendimtar. Të dyja palët nuk besojnë në mundësinë qe BE-ja ta shpjerë procesin deri në fund.

Prishtina, edhe para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, të gjitha kartat i kishte vënë te Uashingtoni dhe mbeti dyshuese ndaj europianëve. Beogradi e ka tejkaluar skepticizmin tradicional ndaj amerikanëve dhe, i nxitur nga ngadalësimi dembel tradicional i Brukselit, gjithashtu ka filluar të dëgjojë më me vëmendje zërat që vinë nga administrata e Trampit- i frikësuar se fitorja e demokratëve në zgjedhjet amerikane të vitit 2020 mund të kthejë në skenë „klintonianët“ jo të dashur për të. „Besoj se Amerika ka për të dëshiruar akoma më fort të përfshihet në mënyra të ndryshme në zgjidhjen e problemit nga i cili vijmë“, deklaroi në muajin gusht Vuçiçi pas takimit në Nju Jork me Sekretarin e Shtetit Majk Pompeo. Diçka më parë, shefi i diplomacisë serbe, pas shtyrjes së samitit të qershorit në Paris, tha se tashmë ka dalë e qartë se pa SHBA-të, „asgjë nuk mund të kryhet“.

Me synimin që diplomacinë ta vërë nën kontrollin personal, Trampi beson se, me zgjidhjen e problemit kosovar, do të mund të lavdërohet për një sukses në politikën e jashtme, në prag të fillimit të garës elektorale, pas dështimit rreth marrëveshjes me Iranin, mossuksesit me „çështjen e shekullit“ izraelito-palestineze, ose me fiaskon e Lindjes së Mesme në Siri.

Amerikanët, derisa t’u mbajë durimi, do të rritin presionin ndaj qeverisë së re kosovare për të hequr taksat doganore, ndërsa Beogradit do t’i bëjnë presion në dy shina, nga pushteti do të kërkojë të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa nga opozita do të kërkojë të heqë dorë nga bojkoti i zgjedhjeve, të marrë pjesë në diskutimet parlamentare në të cilat eventualisht marrëveshja do të ratifikohej dhe të merrte legjitimitet të plotë.

Për këtë punë momentalisht janë të angazhuar dy diplomatë amerikanë-Metju Palmeri dhe Riçard Greneli. I pari ka detyrime më të gjera rajonale dhe më pak hapësirë krijuese. I dyti është ambasadori personal i Trampit në Belrin dhe nuk është i kufizuar nga Departamenti i Shtetit. I pari është diplomat karriere me eksperiencë, i dyti me pamje prej robusti ngjashëm me shefin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Nisur nga kjo, pozicioni amerikan mund të duket disi ambivalent, por përshtypja është se kjo dyshe me forca të bashkuara do të duhet të zgjidhë sa më shpejt konfliktin kosovar. Kush t’ia arrijë i pari. Palmeri taton pulsin, duke mos ofruar skenarë konkretë. Greneli ka rinovuar idenë e mirënjohjes ekonomike për Serbinë në këmbim të njohjes, ide të cilën e hodhi në muajin gusht ish zyrtari i Pentagonit Majkell Karpenter kur tha se Serbia do të duhet të marrë diçka mjaft konkrete në këmbim të kësaj, diçka që qytetarët ta ndjejnë si të vlefshme.

Çfarë? Kjo (ende) nuk është në tryezë. „Neve askush nuk na ofron asgjë, përveçse të njohim pavarësinë e Kosovës në tërësinë e kufijve të Kosovës së pavarur“, deklaroi Vuçiçi në muajin tetor pas takimit me Grenelin. Pastaj iu drejtua kombit: „Mos jini optimistë, nuk jam i lumtur nga mënyra sesi e shohin amerikanët Kosovën“.

Siç qëndrojnë punët, Uashingtoni pret që qeveria e re në Prishtinë të heqë taksat, ndërsa Beogradi të ndërpresë fushatën nëpër botë për mosnjohjen e Kosovës dhe të pushojë së bllokuari hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Pastaj vjen ajo më kryesorja: presion ndaj Beogradit që në ndonjë formë të njohë pavarësinë e Kosovës duke i premtuar Vuçiçit se do ta ndihmojnë që t’ia paraqesë këtë në mënyrë sa më të lehtë opinionit publik serb.

Beogradi e di se çfarë nuk don. Por nuk di se çfarë don. Para 12 vitesh kam pas shkruar se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të negociojë të gjitha temat e qënësishme: pronat, bashkësinë serbe, trashëgiminë kishtare, monumentet e kulturës... Do ta përsërisja përsëri pas kaq shumë kohe të humbur, se është koha që Serbia të tërheqë mosnjohjen e Kosovës.

Kjo është vetmja mënyrë që të pushojmë së nxiri jetën vetes. Që përfundimisht tërë energjinë tonë ta orientojmë drejt formimit të një shteti serioz, të begatë dhe demokratik. Do të ishte një hap kurajoz që do të duhej mbështetur. Nga ana tjetër, a është Vuçiçi ai që ka paralajmëruar se „nuk ka rëndësi çmimi politik që ai do të duhet të paguajë“.

Ambasadori amerikan në Beograd Entoni Godfri të gjitha këto i përmbledh me fjalët: „Zgjidhja që do të mund të ishte e qëndrueshme është ajo të cilën e arrijnë të dyja palët, me të cilën të dyja palët do të mund të jetojnë dhe që do të shpinte në stabilitet rajonal. Cilado zgjidhje që është e pandershme, e paekuilibruar dhe e imponuar nga jashtë nuk do të ishte afatgjatë“.

Më e lehtë ta thuash sesa ta sendërtosh. Por nëse për një kohë relativisht të shkurtër nuk arrihet gjë në këtë Ballkanin tonë malor, Trampi, me stilin e tij gjaknxehtë, dosjen e Kosovës ndoshta do ta hedhë në tapetin e Zyrës Ovale dhe ta harrojë problemin më të madh të rajonit.

Për neve ky rast i humbur do të ishte katastrofë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

Të fundit