Serbia vazhdon të lobojë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Nën okelion “Diplomatët mbi planet e Beogradit zyrtar në lidhje me problemin Kosovar”, gazeta “Danas” e datë 13 maj 2019, boton artikullin e titulluar “Serbia vazhdon të lobojë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, të autores Marija Stojanoviç. Në artikull shkruhet:

Diplomacia serbe do të vazhdojë të lobojë te shtetet që e kanë njohur Kosovën për të tërhequr njohjen, njoftohet “Danas-i” nga burime diplomatike. Sikurse saktësojnë burimet tona, ndërmjetësja në dialogun e Brukselit Federika Mogerini kërkon nga Beogradi dhe nga Prishtina që të ndërpresin lobimet e tyre në lidhje me zgjidhjen e çështjes kosovare, ndërsa nga pushteti kosovar, sikurse dihet, kërkon edhe të hiqen taksat prej njëqind përqind ndaj mallrave nga Serbia.

„Meqënëse Prishtina refuzon t’i heqë këto taksa, as pushteti serb nuk do të ndërpresë nga lobimi për tërheqjen e njohjeve të Kosovës … Kësisoj nuk ka kurrfarë marrëveshje as rreth tërheqjes së taksave as të ndalet fushata e lobimit“, shpjegojnë bashkëbiseduesit e Danas-it.

Siç njoftohemi, nuk janë të sakta pohimet e opozitarit malazez Nebojsha Medojeviç sipas të cilave presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiçi dhe Hashim Thaçi, do të takohen me 12 qershor në Nju Jork dhe do të arrijnë marrëveshjen mbi Kosovën. Sipas burimeve tona, Presidenti i Serbisë këtë ditë do të inaugurojë „një fabrikë të madhe në Serbi“, dhe në Nju Jork nuk e ka thirrur askush, „dhe kjo ide as që ekziston“.

Përfaqësues të qarqeve diplomatike nënvizojnë se janë „pak a shumë skeptikë“ nëse në dy muajt në vijim, deri te takimi i ri i „gjashtëshes ballkanoperëndimore“, do të ndodhë ndonjë gjë me rëndësi në lidhje me Kosovën.

„Nga njëra anë BE-ja do t’ia kushtojë vëmendje zgjedhjeve për parlamentin europian dhe pas tyre konsultimeve mbi formimin e Komisionti të ri Europian, ndërsa Beogradi dhe Prishtina do të presin takimin për Ballkanin i lajmëruar për fillimin e muajit korrik në Paris. Brenda BE-së ende vazhdojnë të ekzistojnë mendime të ndryshme mbi problemin kosovar dhe Ballkanin, gjë që e rëndon situatën për Kancelaren Anxhela Merkel dhe Presidentin francez Emanuel Makron që të paraqesin çfarëdolloj ideje për Kosovën. Mungesa e dëshirës dhe kokëfortësia e Beogradit dhe e Prishtinës, testojnë durimin e Parisit dhe Berlinit, por edhe të Uashingtonit.  Madje, disa shtete europiane janë edhe të fyer për shkak të angazhimit të Amerikës për zgjidhjen e problemit kosovar, por pa përfshirjen e Uashingtonit dhe miratimin e Moskës, nuk do të jetë e mundur të pritet nyja gordiane rreth Kosovës“, nënvizojnë burimet tona.

Diplomatët pohojnë se „nuk janë aspak reale“ kërkesat e Kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj që  Mogerini të përjashtohet nga vazhdimi i dialogut mbi Kosovën. Sikurse shpjegojnë, me këtë retorikë, Haradinaj përpiqet të fitojë pikë të reja në „terrenin vendor prishtinas“.

Si „bërje e fushatës së brendshme“, burimet diplomatike interpretojnë edhe dekaratën e përsëritur disa herë të Hashim Thaçit mbi „fshirjen e kufijve“ mes Kosovës dhe Shqipërisë. Thaçi mes tjerash, këtë mesazh e dha në samitin Brdo-Brioni të mërkurën në Tiranë, ndërsa dy ditë më vonë, nëpërmjet fejsbuk-ut porositi se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës duhe të „eleminohet njëherë e përgjithmonë“.

Zëvendësi i Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit Metju Palmer deklaroi se Beogradi dhe Prishtina, në mënyrë që të zgjidhin problemin kosovar, mund të merrnin shembull nga Maqedonia e Veriut. „Qëllimi i SHBA-ve BE-së dhe vendeve të rajonit është i njëjti-përparimi, ndërsa nga ana tjetër ndikimit rus më shumë i shkon për shtat që të këto vende të mbretërojë korrupsioni dhe gjendja e parregulluar. Te shembulli i Maqedonisë mund të shihet sesi t’i zihet rruga ndikimit negativ, të merret përgjegjësia dhe të përfundohet stanjacioni, gjë që është recetë që mund ta zbatojnë edhe Serbia e Kosova“- nënvizoi Palmeri për Radion Europa e Lirë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza