Seriali ‘koronavirusi do ta ndryshojë botën’/ Numër 8: Barrierat rregullatore për internetin do të bien

Katherine Mangu-Ward është kryeredaktore e revistës Reason.

COVID-19 do të largojë shumë nga pengesat artificiale për zhvendosjen e jetëve tona në internet. Jo gjithçka mund të bëhet virtualisht, natyrisht. Por në shumë fusha të jetës sonë, përdorimi i mjeteve vërtet të dobishme në internet është ngadalësuar nga lojtarët e fuqishëm, duke punuar shpesh në bashkëpunim me burokratët mbikqyrës. Lejimi nga Medicare i faturimit për telemjekësinë ishte një ndryshim i vonuar, për shembull, siç ishte edhe rishikimi i rregullave për lejimin e më shumë operatorëve mjekësorë për të përdorur të njëjtat mjete që pjesa tjetër jona i përdorim çdo ditë për të komunikuar, të tilla si Skype, Facetime dhe email.

Burokracia rregullatore mund të tërhiqte këmbët zvarrë për shumë vite të tjera nëse nuk do të kishte ardhur kriza e Covid-19. Rezistenca, e udhëhequr nga sindikatat e mësuesve dhe politikanët e lidhur me ta, për të lejuar shkollimin e pjesshëm nga shtëpia ose mësimin në internet për fëmijët, është zhdukur nga nevoja. Do të jetë gati-e pamundur ta fusni më atë xhind në shishe kur të vijë vjeshta, kur shumë familje do të konstatojnë se preferojnë shkollimin e plotë ose të pjesshëm nga shtëpia ose detyrat e shtëpisë në internet. Për shumë studentë, kthimi në një dhomë të shtrenjtë konvikti në një kampus të depopulluar nuk do të jetë tërheqës, duke detyruar ndryshime masive në një sektor që është gati për inovacion prej kohësh. Dhe përderisa jo çdo punë mund të bëhet nga distanca, shumë njerëz po mësojnë se ndryshimi midis detyrimit për të vendosur një kravatë dhe udhëtimit për një orë ose të punuarit me efikasitet në shtëpi nuk ishte më shumë se aftësia për të shkarkuar një ose dy aplikacione plus lejen nga shefi. Sapo kompanitë të gjejnë hapat e valles së të punuarit nga distanca, do të jetë më e vështirë dhe më e shtrenjtë t’ua mohosh punonjësve atë mundësi. Me fjalë të tjera, rezulton se shumë takime (dhe klasa apo takime me mjekun) me të vërtetë mund të kishin kërkuar jo më shumë se një email. Dhe tani aq do të kërkojnë.