Flash News

KRYESORE

Sërish dyshime për marrëveshjen e detit, a do e ndryshojë Monika Kryemadhi orientimin e përcaktuar nga Ilir Meta?

Marrëveshja e arritur midis ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, për përcaktimin e kufirit detar mes vendeve, ka ngjallur sërish dyshime në Tiranë.

Pavarësisht heshtjes nga Bushati, homologu i tij grek po tregohet më i hapur për vendimet që janë marrë në takim, duke i bërë ato publike. Kotzias ka deklaruar së fundmi se Shqipëria ka pranuar zgjerimin me 12 milje të ujërave territorial grek.

Nuk dihet se mbi çfarë baze është arritur kjo marrëveshje, pasi mediat nuk janë njoftuar për diskutime në nivel ekspertësh për përcaktimin e kufirit detar, çka ngre dyshime se Bushati dhe kryeministri Edi Rama mund të kenë bërë lëshime për shkak të presionit të Athinës se mund të vendosë veton për hapjen e negociatave.

Ndërkohë, Partia Demokratike i ka përqëndruar akuzat e saj vetem te çështja çame, duke mos komentuar çështjen e detit. Nënkryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Tritan Shehu ka deklaruar më parë se marrëveshja e re nuk do të ndryshojë nga ajo e miratuar nga qeveria e Sali Berishës. Ajo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Siç duket nga deklaratat e zyrtarëve demokratë, PD nuk do e kundërshtojë këtë marrëveshje të re.

Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetmja parti parlamentare që po reagon këto çështje. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka konsideruar marrëveshjen e re të detit si shitje të territorit shqiptar për pak mëshirë nga Greqia. Sipas Kryemadhit, për Ramën ‘ka vlerë vetëm karrigia e tij, për të cilën po paguajmë të gjithë çmimin më të shtrenjtë, atë të shitjes së territorit shqiptar’.

“A ka më qartë se kaq?! Ky njeri për karrigen e tij shet gjithçka. Nuk njeh as moral e as ndjesi për atdheun. Ky njeri pasi shkatërroi marrëdhënien me Greqinë duke prishur Kishat si në kohë e komunizmit, tani fal detin për pak mëshirë nga Greqia…Sepse për të ka vlerë vetëm karrigia e tij, për të cilën po paguajmë të gjithë çmimin më të shtrenjtë, atë të shitjes së territorit shqiptar. Atë që nuk e bënë dot as diktaturat dhe pushtuesit, Edi Rama po e nënshkruan me gjakftohtësi të madhe”, shkruan ndër të tjera Kryemadhi.

Megjithatë ende nuk bëhet fjalë për ndonjë nismë më serioze sesa deklaratat në ‘Facebook’.

Nëse LSI vendos ta ndjekë këtë çështje deri në Gjykatën Kushtetuese, mund të përballet me kundërshtimin e ish-kryetarit të saj, Ilir Meta. Presidenti i Shqipërisë ka preferuar gjithnjë marrëdhëniet e mira me Greqinë, madje që pas ardhjes së socialistëve në pushtet në 2013-ën, ai është zyrtari më i lartë që ka vizituar Athinën, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit. Vetë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e konsideroi Metën si nxitësin e dialogut me Greqinë.

Vendimi i tij për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Janullatos i hapi rrugë edhe marrëveshjeve të reja midis dy vendeve.

Mbetet për t’u parë cilat do të jenë lëvizjet e LSI-së në ditët në vijim dhe nëse Kryemadhi do të ‘thyejë’ traditën e orientimit pro-grek të paraardhësit të saj në parti.

Kotzias: Shqipëria ka pranuar zgjerimin e ujërave greke me 12 milje. Tsipras në Tiranë përpara Pashkëve

12 milje dhuratë Greqisë dhe jo diskutim për çamët, Klajda Gjosha: Bushati po mashtron për interesa personale

Hapja e negociatave, 12 shtete kanë deklaruar votën pro Shqipërisë, rreziku i vetos vjen nga 6 ‘të fuqishmit’ e BE

Të fundit