Shano: Në Shqipëri po ndodh estradë, njerëzit po ikin se nuk duan të jenë anëtarë partie

Anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Dritan Shano mendon se klima e tensionuar politike në vend vjen për shkak të interesave për pushtet. Ai nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë që sipas tij e ka kapur Reformën në Drejtësi.

“Kjo që po ndodh është një sherr i rëndomtë pushteti, ku përzihen lloj-lloj elementësh. Kjo është një estradë dhe nuk ka asnjë lloj serioziteti. Këtë mungesë të madhe të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë e shoh me shqetësim. Këtu ka momente kur mbrohet Kushtetuta. Njerëzit gjykojnë dhe nuhasin. Sot kemi një luftë të egër mes njerëzve që okupojnë institucione të caktuara.

Mendoj që parlamenti, qeveria prej kohësh nuk kanë lidhje me drejtësinë dhe Kushtetutën. Reformën në drejtësi e ka bllokuar Rilindja. Kjo është një luftë kontrolli mes fuqive që kemi prodhuar ne me votën tonë për kush kontrollon drejtësinë. Këtu diskutohet se kush do të kontrollojë të ardhmen dhe sigurinë e shqiptarëve. Kjo është lufta që unë shoh dhe kjo nuk është fare për konceptin e Republikës që kam unë”-tha Shano në News 24.

Ai tregon edhe përse po largohen shqiptarët.

“84 % e shqiptarëve e kanë konceptin e republikës. Shqiptarët nuk është se nuk e duan Shqipërinë, por nuk e duan qeverinë. Qeverisja e gjithë këtyre kohërave ka prodhuar këtë situatë që po agravohet, jo vetëm në largimin, por edhe të rritjes së fatalitetit, pra të fitores së vdekjes mbi jetën. Njerëzit ikin jo pse janë të varfër, por sepse nuk kanë mundësi, sepse nuk janë anëtarë partie. Kjo tregon pse-në e lëvizjes nga Shqipëria drejt Evropës, sepse për të jetuar nuk duan të jenë anëtarë partie.”.