Flash News

KRYESORE

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve voton rezolutën që i kufizon Trump veprimet ushtarake kundër Iranit

Mes tensioneve SHBA-Iran, Dhoma e Përfaqësuesve votoi të enjten një rezolutë që synon të kufizojë mundësitë e Presidentit Donald Trump për të përdorur veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e kongresit.

Kjo rezolutë u votua me 224 vota dhe 194 të tjerë votuan kundër. Hapi i radhës i rezolutës tashmë do të jetë senati.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha në një deklaratë të Mërkurën se "anëtarët e Kongresit kanë shqetësime serioze, urgjente në lidhje me vendimin e administratës për të ndërmarrë armiqësi kundër Iranit dhe për mungesën e saj të strategjisë për të ecur përpara". Ajo kritikoi ashpër vendimin e Trump për të vrarë gjeneralin iranian Qassem Soleimani, pa u këshilluar më parë me Kongresin.

Rezoluta e miratuar parashikon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit për sa kohë që Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t'u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara.

Të fundit