SHBA e goditur nga Covid-19/ Trump del me vendim të ri, zgjat masat deri në 30 prill

Ndërsa deri tani SHBA ka regjistruar mbi 2400 viktima nga virusi Covid-19 dhe 139.714 të infektuar, presidenti Donald Trump del me një vendim të ri.

AI tha se do të zgjasë masat e marra në mbarë vendin edhe për 30 ditë të tjera, për zbatimin e udhëzimeve të distancimit social.

“Sa më mirë të veprosh, aq më shpejt do të përfundojë i gjithë ky makth,” tha Presidenti të dielën në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se do të përfundonte një plan dhe strategji të re në fillim të kësaj jave dhe njoftimin e detajeve do ta bëjë të martën.
Njoftimi shënoi një kthesë të papritur nga një javë më parë kur Trump tha se ishte i bindur se kufizimet në distancë po shkaktonin dëme të pariparueshme në ekonomi.

Udhëzimet 15-ditore që Trump njoftoi dy javë më parë skaduan të hënën, kur tha se në 12 Prill vendi mund të kthehej në normalitet.

Numri i infeksioneve të reja në SH.B.A është rritur me shpejtësi gjatë javës së kaluar, duke tejkaluar Kinën dhe Italinë.

Shifrat e SH.B.A.-së janë katërfishuar gjatë shtatë ditëve të fundit.

Eksperti më i lartë i qeverisë amerikane për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, parashikoi të dielën se 100 deri në 200 mijë amerikanë mund të vdesin nga coronavirusi.