Flash News

KRYESORE

SHBA godet një rrjet ndërkombëtar krimi kibernetik: Tre të arrestuar në Kosovë

SHBA godet një rrjet ndërkombëtar krimi kibernetik: Tre të

Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri publike paditë kundër 36 personave të akuzuar si pjesëtarë të një rrjeti krimesh kibernetike, që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në thellësi të internetit, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh. Ishte një nga operacionet më të mëdha ndonjëherë ndaj krimeve kibernetike.

Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi i quajtur Infraud, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.

Tre pjesëtarë të organizatës ishin nga Kosova. Në aktpadi thuhet se Besart Hoxha, u bë anëtar në vitin 2011 dhe shet karta krediti fallso të cilësisë së lartë. Aldo Ymeraj dhe Liridon Musliu u bënë anëtarë respektivisht në vitet 2010 dhe 2011 dhe e paraqesin veten në forumin e organizatës si persona që ofron të dhëna të komprometuara të llogarive të kartave të kreditit dhe faqeve automatike online që përdren për t’ua shitur ato të dhëna anëtarëve të organizatës.

Ky rast po ndiqet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Shtetin e Nevadës, pasi ky disktrik ka arritur një nivel të lartë ekspertize për këto lloj krimesh, si rezultat e një hetimi të mëparshëm në këtë fushë e një grupi të quajtur carter.su që vidhte identitete dhe solli si rezultat ngritjen e akuzave ndaj 55 vetëve.

Një zëdhënëse në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Nevada i tha Zërit të Amerikës se edhe hetimi për oranizatën “Infraud” filloi si rezultat i procesit penal për Carder.su.

Hetuesit besojnë se rreth 11 mijë anëtarët e grupit kishin vënë në shënjestër mbi 4.3 milionë karta krediti, karta dhe llogari bankare në gjithë botën.

Shumica e tyre nuk ishin takuar ndonjëherë me njëri-tjetrin, Objektivi i organizatës ishte që të bëhej tregu më i madh në internet për të blerë mallra me informacion të vjedhur ose kontrabandë, thanë prokurorët.

Zëdhënësja e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Nevada tha agjentë të Departmentit të Sigurisë Kombëtare në gjithë vendin dhe homologët e tyre në Francë, Britani, Itali, Australi, Kosovë, Serbi dhe Shqipëri kryen operacionet që sollën si rezultat arrestimin e 13 vetëve. Autoritetet në Shtetet e Bashkuara presin tani ekstradimet, përfshirë ato të anëtarëve të organizatës në Kosovë./VOA

Të fundit