SHBA njoftoi tërheqjen nga OBSH, reagon i dërguari special për koronavirusin: Situata do përkeqësohet në muajt e ardhshëm

Presidenti Donald Trump ka filluar zyrtarisht tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke zbatuar kërcënimet ndaj agjencisë së Kombeve të Bashkuara lidhur me trajtimin e koronavirusit, thanë zyrtarët të martën.

Pas tërheqjes ka reaguar i dërguari special për koronavirusin, Dr. David Nabarro.

Profesor i shëndetit global në Imperial College të Londrës është shprehur se kriza e Koronavirusit “do të përkeqësohet akoma më shumë në 6 muajt e ardhshëm” dhe se liderët botërorë duhet që të punojnë bashkë për të gjetur zgjidhje.

“Kjo sinqerisht nuk është ajo që njerëzit e botës kanë nevojë,” u shpreh ai. Efekti i tërheqjes së Trump do të ndihet në buxhetin e OBSH-së, u shpreh ai ndërsa shtoi se agjencia e OKB-së është e nën financuar edhe në momentin që flasim.

Në një prononcim për Radio 4 të BBC, Nabarro tha se i druhet  asaj që situata mund të përkeqësohet shumë në 6 muajt e ardhshëm.

“Jam me të vërtetë shumë i mërzitur. Bota ka qenë duke u përballur me një krizë madhore shëndeti në gjashtë muajt e fundit, dhe druhem se situata do të bëhet akoma më keq në 6 muajt e ardhshëm. Ne na mbetet akoma shumë për të mësuar rreth virusit dhe mënyrës sesi duhet të përballemi me të. Është vërtet shumë keq që vendi më i rëndësishëm për OBSH-në në terma të buxhetit ka vendosur që të tërhiqet”.