Shenasi Rama ndalohet në aeroportin e Rinasit, pjesë e listës me personat që do të deportoheshin

Profesori i Universitetit të Nju Jorkut, Shenasi Rama është përballur më 14 mars me një situatë të pakëndshme në aeroportin e Rinasit, pasi kishte zbritur nga avioni i ‘Turkish Airlines’. Policia e ka ndaluar Ramën dhe i ka treguar një urdhër deportimi, që ishte dorëzuar nga kompania ‘Turkish Arlines’, por që më pas rezultoi të ishte një keqkuptim.

Në një komunikim me ‘Zërin e Amerikës’, ai thotë se policia shqiptare i kishte kërkuar publikisht të zbriste nga autobusi që po transportonte për në terminal udhëtarët e mbërritur nga Stambolli, pasi sipas autoriteteve, emri i tij ishte në një listë personash që do të deportoheshin.

Sipas zotit Ramës, kompania Turkish Airlines i kishte thënë se i gjithë incidenti kishte qenë një gabim njerëzor. Por në bisedën me Zërin e Amerikës, zoti Rama nguli këmbë se ajo që kishte ndodhur ishte qartazi një përpjekje për ta frikësuar.

Ai tha se mendonte që autoritetet shqiptare kishin gisht në incident, pasi përpara se ta mbanin, duhet ta kishin sqaruar situatën me kompaninë Turkish Airlines, që është kompani shtetërore.

Prof. Shenasi Rama, i cili jeton prej shumë vitesh në SHBA, është i njohur si kritik i ashpër i klasës politike në Shqipëri, duke përfshirë krerët e partive poltike kryesore të vendit. Ai ka qenë pjesë aktive e Lëvizjes së Dhjetorit dhe ndër themeluesit e parë të Partisë Demokratike.