‘Shengeni ballkanik’; i keq se ka dorë Rama, apo se është i tillë?

Alfred Lela

Intepretimi i historisë së re të Ballkanit me parabola apo ngjarje të së shkuarës është fiks një prej arsyeve se pse siujdhesa ilirike, me emër turk, vegjeton trishtimin e vendnumërosë së përhershme; urrjejtja që konsumohej dikur fushëbetejave tash kullon rrjeteve sociale. Nën daullet e luftrave të vjetra dhe lahutave/guslave të epizimit që nuk lëshon pe, historia do të jetë gjithmonë e njëjta: mbushur me moskuptime, keqkuptime dhe armiqësi më shumë se fqinjësi.

Nuk do mend se shqiptarët, sllavët dhe grekët janë të dënuar me njëri-tjetrin dhe në vend që ta shohin cakun gjeografik si mallkim, duhet ta përqafojnë si pjesë të jetëve kombëtare dhe individuale.

Eshtë marrëzi e përbashkët ballkanike gatishmëria për të bërë paqe, biznes dhe zijafete me turqit, dhepër të vazhduar ndër veti ‘një sy për një sy’. Nëse me ish-pushtuesin e përbashkët vlen të harrohen historitë e vjetra, po aq vlen edhe me njëri tjetrin.

U pa ky dert edhe në atë që u pagëzua si ‘Shengeni ballkanik’, një ‘besë’ kufitaro-tregtare mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pakti parashikon një ‘hapje të kufijve’ që do të thotë lehtësira ‘portuale’, kufitare dhe doganore, pra lirshmëri në lëvizje të njerëzve dhe mallrave.

Edhe sikur të mos mund të konsiderohej hap i vlefshëm në rrafshin tregtar, marrëveshja duhet përshëndetur si ‘zhvendosje kulturore’ me rëndësi. Kultura e deritashme mes tre vendeve ka favorizuar mbylljen në vend të hapjes, monologun në vend të dialogut, kreshpërimin në vend të paqtimit.

Duke qenë se politika dhe percepsionet ballkanike janë ad hominem, pra bazohen te emrat e përveçëm dhe te shijet mbi ta, kuptohet edhe aversioni ndaj kësaj marrëveshjeje. Në Shqipëri, pajtimin kombëtar mbi marrëveshjen e fundos Edi Rama. Duke e lënë në shmang kryeministrin e Shqipërisë, duke qenë se për të janë thnë në të gjitha tashmë, të ndalemi te dy homologët e tij.

Zoran Zaev është kryeministri liberal i Maqedonisë së Veriut që arriti, bashkë me ish-kryeministrin grek Cipras të përfundojë një marrëveshje me Athinën që e sheh sot Maqedoninë në NATO dhe në prag të çeljes së negociatave me BE-në. Ai e ka shtensionura luftën politike në Shkup pas ikjes së Nikola Gruevskit, duke respektuar një pjesë të mirë të piketave të marrëveshjes së Ohrit në raport me shqiptarët.

Aleksandër Vuçiç shihet shtrembër në Tiranë, por profilit të tij i mungon dy-tri pyetje: ku qëndron ai në raport me kundështarët e tij në opozitë sa i takon Kosovës? Cila është alternativa serbe në raport me Kosovën? Cili është konteksti serb?

Njohës të politikës në Beograd konfirmojnë se opsionet e Vuçiçit për një ‘zgjidhje kosovare’ janë ku e ku më liberale se të opozitës serbe.

Por nuk është e gjitha kulturë dhe politikë. Të tre vendet njihen për krim të organizuar të harlisur, dhe kufijtë porozë e bëjnë edhe më të lehtë ‘komunikimin’ dhe trafiqet e këtij segmenti. Ky është një aspket që duhet mbajtur parasysh, duke rrëzuar të gjitha pretekstet e tjera që janë ose patrio-populizma boshe ose xhelozi politike. Një marrëveshje shtensionuese kulturalisht dhe e tregtisë së lirë, siç parashikohet të jetë ‘Shengeni ballkanik’, mund të pluhuroset me titizma, enverizma dhe udb-iza të shumtë, por një gjë mbetet fakt: historia e re e një rajoni të trazuar nuk ndërtohet me një këmbë në historinë e së shkuarës.