Flash News

KRYESORE

Shënim/ Dredhia e Bushatit me “përfitimet” nga ligji i luftës, pse ministri nuk e përmendi termin “çamët”

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka raportuar sot në Komisionin e Jashtëm parlamentar në lidhje me bisedimet dypalëshe me Greqinë.

Bushati tha se në tryezë janë çështje me origjinë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kryediplomati shqiptar la të kuptohej se Greqia është pranë heqjes së ligjit të luftës me Shqipërinë.

Heqja e këtij ligji, sipas Bushatit, ka dy efekte pozitive. “Ka komponentin politik, sepse do të çlirojë një energji pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe atë ligjor sa i përket dekreteve të kohës, legjislacionit civil në Greqi, që vendosën nën sekuestro pronat e shqiptarëve dhe të shtetasve shqiptarë me origjinë greke”, deklaroi ai.

Por lidhur me efektet juridike të shfuqizimit të këtij ligji, ndryshe nga ç’bëri me komponentin politik duke u shprehur qartë se do të ketë pasojën e “energjive pozitive” mes dy vendeve, Bushati nuk e tha qartë se cili do të jetë rezultati i pritshëm.

Gjithashtu Bushati nuk guxoi të përmendte fjalën “çamë”, por tha “pronat e shqiptarëve dhe të shtetsave shqiptarë me origjinë greke”.

Pra dredhia që i bën Bushati kësaj çështjeje ka të bëjë me këto aspekte ligjore:

  1. Çamët, ligjërisht, në momentin që u dëbuan dhe masakruan nga Greqia, ishin që të gjithë shtetas grekë dhe jo “shqiptarët” që përmendi Bushati sot dhe as shqiptarët me origjinë greke.
  2. Janë të tjera rastet e shqiptarëve të Shqipërisë, të cilëve iu konfiskuan pronat në Greqi, ashtu sikurse iu konfiskuan edhe në Shqipëri pronat shtertasve grekë pas mbarimit të luftës. Ndërsa shetasit shqiptarë me origjinë greke janë pjestarë të minoritetit grek në Shqipëri.

Ministri i di fare mirë të dyja këto çështje, sepse këtë duhet t’ia ketë shpjeguar mirë ish-Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së tij, i cili do të ishte një ndër përfituesit direkt nga ky ligj, si një shtetas dhe kombas shqiptar, që ka të trashëguar bashkë me familjarë të tjerë një pronë të sekuestruar nga Greqia në Greqi.

Ndaj Bushati duhet ta thotë më qartë, nëse pasojat e shfuqizimit të ligjit të luftës nga Greqia, do të kenë efekte vetëm për shqiptarët e Shqipërisë dhe minoritarët grekë të vendit tonë, apo edhe për shqiptarët e Greqisë, pra çamët, që zyrtarisht nga Greqia njihen si grekë, në bazë të çdo dokumenti që shteti helen ka lëshuar për ta në të kaluarën (para, gjatë dhe pas dëbimit dhe konfiskimit të pronave të tyre).

Ky sqarim është i nevojshëm të bëhet, sepse nëse do të ketë zgjidhje ligjore vetëm për pronat e shqiptarëve të Shqipërisë në Greqi, kjo do të thotë se për Greqinë çështja çame vazhdon të mos ekzistojë dhe se në këto negociata, përfituesja e vetme reale do të jetë vetëm pala greke.

Të fundit