Flash News

KRYESORE

Shënim/ Pse Prokuroria e Republikës është kthyer në 'brisk rroje'?!

Politiko.al

'Flakë për flakë' ka mbërritur nga zyrat e Prokurorisë përgjigjia për një 'sfidë' të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, lidhur me hetimet për një pagesë të hamendësuar lobimi të Partisë Demokratike. Në më pak se dy orë, Prokruroia është treguar 'bujare' me shtypin dhe 'e ftohtë' me eksponentët opozitarë duke 'zbardhur' faturën e shpenzimeve të Partisë Demokratike gjatë fushatës së kaluar zgjedhore për 'parlamentaret'.

Nuk ka pse të ketë kundërshti ndaj gatishmërisë së Prokurorisë për të hetuar dhe ngritur akuza ndaj opozitës dhe eksponentëve të saj. I njëjti arsyetim duhet përdorur, megjithatë, për të dyshuar gatishmërinë e organit të akuzës.

Dyshime që rrjedhin prej dy burimesh.

Vetëm 'Al Kaponet', të mos i prekë njeri. Foto Credit: Google

I pari, pse Porkuroria është kaq e shpejtë, e vendosur, sfiduese, 'prokuroriale' në akuzat që ngre kundër opozitës (qoftë edhe duke e marrë të mirëqenë lobimin 650 mijë dollarësh të PD), ndërkohë që nuk ka lëvizur gishtin për dosje të tjera, të cilat, gjithashtu, i ka denoncuar opozita, që kanë të bëjnë me përfshirjen e Dakos në Durrës dhe të tjerëve në Dibër në afera korruptive që përfshijnë jo vetëm afera financiare, por edhe manipulim zgjedhore, pra prishje të thelbit të Republikës, mbrojtëse e së cilës Prokuroria duhet të jetë?

Së dyti, pse ndodh që akuzat ndaj opozitës sipërfaqësojnë sa herë qeveria është në zemër të ndonjë skandali: pse ka një kalendar të tillë në lëvizjet e organit të akuzës, ndërsa gjithçka me teh anti-qeveritar shtyhet për në kalendat greke?

Këto janë dyshimet. Kjo është Prokuroria. E tillë ajo nuk mund të portretizohet ndryshe veçse si një vegël, 'brisk rroje' në duart e pushtetit: e gatshme për fytin e opozitës dhe rrojtore shkume e livandoje për fytyrën e qeverisë.

Të fundit