Flash News

KRYESORE

Shënim/ Taktika e suksesshme diplomatike e Tiranës po mbulohet për të mos konfirmuar dhuratën e Ramës për Bregun

Shënim/ Taktika e suksesshme diplomatike e Tiranës po mbulohet

Zgjedhja për herë të parë e një shqiptare në krye të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) një strukturë e cila është pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), është një arritje diplomatike pozitive e Tiranës, por e cila po sfumohet për shkak të karrierës politike të fitueses, ish-ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.

Është fakt se zonja Bregu e fitoi këtë post pa garë, pavarësisht deklaratës së saj se kishte mposhtur kandidatin tjetër nga Mali i Zi, Igor Luksic. Politiko.al raportoi mbrëmjen e djeshme për një pakt midis Tiranës dhe Podgoricës, për të zgjedhur kandidatët e tyre për dy mandatet e ardhshme. Pakti është konfirmuar sot edhe nga ‘Zëri i Amerikës’.

Nëse Bregu do ishte zgjedhur vërtet me garë, ajo do të kishte mundësi të garonte në vitin 2021 për një mandat të dytë, ashtu si paraardhësi i saj, serbi Goran Svilanovic, i cili e mbajti këtë post për dy mandate, por pakti i Tiranës dhe Podgoricës e detyron ish-ministren e Integrimit të mjaftohet vetëm me një tre vjeçar në krye të ‘RCC’, 2019-2021, ndërsa mandati 2022-2024 i takon malazezit Luksic.

Nëse Shqipëria nuk do të kishte arritur këtë marrëveshje me fqinjin verior, gjasat janë që Bregu nuk do të ishte shpallur fituese sepse ndarja e votave të shteteve të rajonit do e pamundësonte diçka të tillë. E njëjta situatë mund të ishte edhe për Malin e Zi, ndaj marrëveshja për t’u paraqitur me kandidatë të përbashkët ka qenë mundësia e vetme.

Gjithsesi, ky mekanizëm i përdorur nuk e zbeh fitoren diplomatike të Shqipërisë, por konfirmon diçka tjetër, se emri i Majlinda Bregut ka qenë i përzgjedhur paraprakisht nga qeveria e Ramës. Duke qenë se zgjedhja e Bregut dhe Luksic u bë pa garë por nëpërmjet konsensusit, Edi Rama mund të kishte përzgjedhur cilindo socialist/e për këtë post. Në Partinë Socialiste nuk mungojnë figurat që janë fokusuar prej vitesh në çështjet e integrimit, si për shembull ish-deputetet Valentina Leskaj apo Arta Dade, por Rama vendosi t’ja dhurojë këtë post pikërisht ish-deputetes së PD-së.

Që kur u raportua për kandidimin e Bregut për këtë post, ish-ministrja demokrate është munduar ta paraqesë si nismë personale dhe që nuk kishte mbështetjen e qeverisë së majtë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

“Nuk është pozicion që varet nga qeveria shqiptare dhe për rrjedhojë nuk mund të ofrohet nga qeveria shqiptare. Nota duhet të përcillet zyrtarisht nga Ministria e Jashtme siç ndodh me çdo kanditat nga vendet e tjera që kanë aplikuar”, do shprehej Bregu rreth tre muaj më parë.

Por mënyra se si rrodhën ngjarjet tregon se ka qenë e pamundur që Bregu të hynte në këtë garë pa një koordinim të plotë me qeverinë e Shqipërisë.

Në mandatin e parë të qeverisë Rama, Majlinda Bregu është komentuar vazhdimisht për afërsinë me mazhorancën dhe vetë kryeministrin, madje, qëndrimet e saj si deputete në opozitë kanë qenë shpesh herë më pranë qeverisë se sa Partisë Demokratike, ku ajo bënte pjesë. Në vitin 2014-të, socialistët e pranuan Bregun si kryetare të Këshilli Kombëtar të Integrimit Evropian.

Lënia jashtë listës së PD-së për zgjedhjet e 2017-ës u pasua me lajme në media se Bregu shihej si kandidate potenciale për postin e ministres së Diasporës në qeverinë e dytë të Ramës, pretendim që nuk u konfirmua.

Në janar të këtij viti, Majlinda Bregu u zyrtarizua si kandidate e Shqipërisë për postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Tani që fitorja e Bregut është përfundimtare, qeveria e Ramës dhe vetë Bregu po tregohen të kujdesshëm në deklaratat publike dhe po përpiqen ta paraqesin jo si një shpërblim që ish-demokratja merr nga kryeministri, por mbështetje për një shqiptare që kishte të gjithë eksperiencën dhe përgatitjen për të marrë drejtimin e ‘RCC’.

Në aspektin diplomatik do të ishte më e vlefshme nëse reklamohej kjo taktikë e përdorur nga Tirana dhe Podgorica, si dy shtete të vogla që arritën të merrnin drejtimin një nismë rajonale, por kjo do nxirrte zbuluar faktin se Bregu nuk kandidoi, por ky post iu dhurua nga Edi Rama.

Të fundit