Flash News

KRYESORE

Shënime udhëtimi/ Në Theth, pa det por me gjithçka tjetër

Nga Xhuliana Jakimi

Jo më në jug, det, rërë e gurë; pushimet e fundjavës vendosëm t’i kalonim mes miqsh në Theth.

Pashku, i zoti i bujtinës ku do të qëndronim na priste që në Shkodër, ndërsa gjatë gjithë rrugës, e cila zgjati për gati 2 orë e gjysmë, nuk ndaloi së treguar për atë se çfarë na priste.

“Është rrethuar me 7 male, ka Kishën në qendër të fshatit me të cilën identifikohet zona, me ujëvarën e bukur, Syrin e Kaltër e kanione, të cilat do i shihni e gjykoni vetë”, tregon Pashku.

Gjatë rrugës kaluam burgun e Reçit e fshatin Bogë. Rrugës së asfaltuar e të nxehtit, i zunë vend gropat e i freskëti. Sa më lartë të ngjiteshim, aq më freskët bëhej. Ça kishim në çanta, triko e xhupa i vumë mbi shpatulla, ndërsa vijonim me pyetjet për Pashkun.

Ai na tregoi dhe për historinë e fshatit. “Legjenda thotë se dikur ishin tre vëllezër me prejardhje nga Shiroka. Ata u vendosën në Shosh, Mirditë e Shalë. Një ditë vëllai nga Shalla u fut thellë e më thellë, deri në vendin që sot quhet Theth (nga fjala “thellë”). E pastaj njerëzit lëvizën drejt Thethit.

Pashku tregoi se aktualisht në këtë fshat jetojnë rreth 300 familje, ndonëse jo për gjatë gjithë vitit, pasi në dimër për rreth 6 muaj rruga bllokohet.

“Në Theth janë 7 fise që kanë migruar e emigruar ndër vite, sidomos në demokraci”.  Ndërsa nga familjet, sipas tij, rreth 30 bujtina janë vënë në dispozicion të turistëve, ndërsa të tjerët merren me bujqësi.

Teksa makina lëvizte sa në njërin krah në tjetrin, Pashku, disi i revoltuar tregoi se bashkia, por edhe deputetët, ndonëse kanë premtuar, s’kanë bërë asgjë për të investuar në zonë.

E në fakt, infrastruktura linte shumë për të dëshiruar. Ecëm për rreth 2 orë e gjysmë, herë ngjitje e pastaj zbritje derisa arritëm në fshat. E zonja e bujtinës, Vera, na priti me gatime të zonës, byrekë të gatuara nga vetë ajo, kos, sallatëra e turshi.

Në oborr por dhe në shtëpizën e ngrënies me gurë, dëgjoheshin pushuesit teksa flisnin në gjuhë të ndryshme.

Kryesisht francezë, gjermanë, italianë, por edhe kombësi të tjera. E rrethuar nga malet, në bujtina me gurë e dërrasa, mes tursitëve të huaj e tejet miqësor, na dukej sikur ishim në një vend që s’i përkiste Shqipërisë sonë.

Pas një gjumi të thellë, sa nga lodhja e një dite më parë por edhe nga freskia e komoditeti, të nesërmen u zgjuam të kthjellët e me dëshirën për të vizituar natyrën.

Shijuam mëngjesin me reçel, gjalp, djath, vezë e çaj, veshëm atletet, çantat mbi shpinë, e u nisëm drejt Ujëvarës së Grunasit.

Nga bujtina te Ujëvara, duke ndjekur udhëzimet e tabelave të vendosura përgjatë shtigjeve, arritëm për rreth 35 minuta. Rrugës shkëmbeheshim me grupe turistësh të cilët flisnin e na përshëndesnin kryesisht në anglisht.

Sa më shumë ngjiteshim drejt saj, aq më shumë ndihej zhurma e ujit. U ngjitëm mes shtigjeve, pemëve e gurëve, e në fund u gjendëm përballë saj. Uji binte mbi gurët dhe zhurma që krijohej ishte aq relaksuese. Ca pemë kishin mbirë mes gurësh e qëndronin stoike në lartësi. Pasi ndenja për disa minuta duke parë me detaje atë mrekulli të natyrës nisa të ndjeja ca të dridhura. Koha kishte kaluar kaq shpejt, e na duhej të lëviznim.

Nga Ujëvara te Syri i Kaltër, nëse do udhëtonim në këmbë zgjaste rreth tre orë. Pasi ecëm për një orë mes shtigjeve e pastaj në rrugën ku kalonin makinat, pranë nesh ndaloi një mjet.

“Për te Syri i Kaltër?”, na pyeti një djalosh biond, me sy blu. Pasi na ftoi të udhëtonim me të, iu bashkuam ngushtë e ngushtë në makinë Kristit 20 vjeçar.  Kristi jetonte në Shkodër, por kalonte verën në Theth dhe merrej me transportin e turistëve. Pasi udhëtuam për rreth 45 minuta me makinë, kaluam edhe fshatin Ndërlysa, ecëm për disa minuta në këmbë derisa arritëm te ‘Syri i Kaltër’.

Ç’të shihje… dukej si i pikturuar me dorë. Një burim mbushte pellgun me ujë, ku ndonëse ftohtë, laheshin turistët. Aty pranë ishte dhe një vend i improvizuar me dërrasa ku mund të shijoje pijet që merrje nga kutia në ujë, të cilat i shiste një vajzë e fshatit.

Pranë Syrit të Kaltër po zgjeroheshin bujtinat për turistët. Në këtë mënyrë ata që dëshironin do kishin mundësinë të flinin aty pranë pa u detyruar të shkojnë deri në Theth.

Shijuam natyrën e hëngrëm ç'kishim në çantë, pastaj u nisëm drejt fshatit Ndërlysa, aty ku gjetëm makinën për t’u kthyer në Theth.

Po ndiheshim të lodhur dhe një sy gjumë na dha energji për të shijuar mbrëmjen. Zonja Vera na kishte përgatitur mish qengji e gatimet e zonës.

Në të errur, bashkërisht bëmë një xhiro rreth fshatit. Kullën e Ngujimit e pamë nga jashtë e u nisëm drejt Kishës. U ulëm në një cep të saj. Mbrëmja, flladi i lehtë, pamja e rrethuar nga malet, po edhe muzika e dasmës që vinte nga një lokal aty pranë, ishin shoqëruesit tanë deri afër mesnatës.

Të nesërmen u nisëm drejt Tiranës, pa dëshirë duke parë çfarë po linim pas, por të paktën, dy ditët e qëndrimit pranë natyrës mjaftuan për të nisur më me energji një javë të zakonshme nga ato të kryeqytetit.

Të fundit