All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

Shenja e barazisë, si mënyrë e Ramës për të shpërndarë baltën e vet

Shenja e barazisë, si mënyrë e Ramës për të
All - Paragraf - 1

Patrik Sadikaj

All - Paragraf - 3

Me 16 shkurt, unë, ti, Partia Demokratike, opozita e bashkuar dhe gjithë shqiptarët, do të jemi në shesh për të protestuar si qytetarë europianë. Jo vetëm për t'i thënë Edi Ramës se ka ardhur fundi i qeverisjes së tij shkatërrimtare, por të treguar se ne, bashkë me ju, do të jemi alternative për ta ndryshuar më në fund këtë vend.

I humbur në betejen për të qeverisur Shqipërinë, Rama, Rilindja e tij si formë propagande, kanë bërë gjithçka për të çuar ujë vetëm në një drejtim: të gjithë në këtë vend janë njësoj. Pra, edhe ata që do të vijnë pas Rilindjes janë njësoj!

Padyshim që jo, nuk është kështu. Kjo është një përpjekje disfatiste e njëriut të dështuar që përpiqet t'i tërheqë të gjithë në llumin e vet. Shqipërinë, nuk e shohin të gjithë si një koncension apo PPP-të të radhës. Ka shumë njerëz, politikanë dhe intelektualë, që e duan këtë vend, që duan ta ndryshojnë mendësinë koncensionare të Rilindjes.

Në 2013-ën, Edi Rama erdhi me kazanin e madh të mashtrimeve, që në atë kohë u shitën si premtimet e ndryshimet të madh. Në fakt, kjo skemë solli ndryshimin e vetëm: I dha pushtetin Partisë Socialiste, që sapo kishte filluar të tretej nën lëkurën e Rilindjes.

Ndryshimet e tjera, pra premtimet e famshme të kryeministrit, filluan të ngelen rrugës. Sot që jemi në mesin e mandatit të dytë, qeverisja e Ramës nuk ia ka dalë të realizojë asnjë prej tyre. Më së shumti që Rama ka bërë, ka dhënë gjithë Shqipërinë me PPP dhe ka hapur një portal që nuk i shërben askujt, veç propagandës dhe fasadës boshe.

Helmi që ka hedhur propaganda e Rilindjes, ka hyrë deri në dejet e njerëzve të cilët sot, duan më shumë se kurrë të bëjnë dallimin mes të mirës dhe të keqes. Kjo është beteja më e madhe që ka Lulzim Basha dhe opozita e tij europiane. Pikërisht, që këtu, te mënyra e të bërit opozitë, për të demonstruar atë që është fakt: nuk është si Edi Rama dhe as PD nuk është si Rilindja.

JO për të dhënë prova se nuk është si Edvini, por për të hequr nga mendja e shqiptarëve, 'magjinë' e propagandës së Ramës, i cili ka investuar gjithë makinën e tij të matrapazëve për të bindur se në politikë janë të gjithë njësoj, njëri më i keq se tjetri.

Me siguri, e thënë kjo, shtrohet pyetja: Po pse janë ndryshe?

Ka shumë përgjigje, shumë “sepse”.

Sepse Basha, ndryshe nga Rama nuk ka thirrur krimin e kriminelët për të mbledhur vota. Nuk ka lëshuar ushtrinë e drogës që të blejë vota.

Sepse ai nuk ka sjellë dhe nuk do të sjellë në Kuvend, të zgjedhurit e krimit, por njerëz normalë që përpiqen të paktën të mendojnë për të mirën e njerëzve dhe jo sesi të zgjerojnë hartën e drogës.

Ndryshe nga kryeministri, lideri i opozitës nuk zhvishet lakuriq për të hequr vëmendjen nga hallet që kanë njerëzit, por përvesh mëngët për të hartuar një program që nesër do të ndryshojë situatën e rëndë të këtij vendi.

Nuk ka nevojë për fasada, por ka nevojë për ide, projekte dhe zhvillim real. Nuk ka Basha dhe as Partia Demokratike projekte 3D në Facebook por projekt madhor që fillon me integrimin në BE dhe kthimin e besimit dhe të shpresës te shqiptarët.

Basha është padyshim një lider i shkollës perëndimore, jo i shkollës anadollake të batutës, fyerjes dhe sharjeve mbarë e mbrapsht.

Këto janë vetëm pak nga ato që përbëjnë hendekun e ndryshimit mes Bashës dhe Ramës.

Shqipëria nuk është një vend pa shpresë, siç Fugat e Edit propagandojnë. Shqipëria nuk është vendi që prodhon vetëm emigrantë dhe hajdutë. Është edhe vendi ku ka politikanë ndryshe, europianë, dhe që sjellin shpresë me ofertën e tyre.

PD dhe Basha e kishin që në vitin 2017-të rrugën e zgjidhjes, me një program ekonomik, social dhe politik që i jep fund grabitjes së Shqipërisë. Por, Rilindja bleu gjithçka, grabiti dhe kriminalizoi edhe të vetmen armë që ka në dorë një opozitë të jetësojë projektin e vet: votën e lirë.

Lufta më e madhe sot, për opozitën, PD-në, dhe të gjithë shqiptarët, është të heqim fasadën që na ka zënë sytë. Atë glaukomën që na ka lëshuar si mallkim verbërimi, duhet ta kurojmë dhe kjo bëhet padyshim për të bindur shqiptarët se: jo të gjithë e duan pushtetin për të vjedhur e grabitur Shqipërinë. Ka dhe nga ata që janë gati që, së bashku me shqiptarët, ta shpëtojnë Shqipërinë.

Rruga është e gjatë, por nëse nisim ta shtrojmë, Europa nuk do të jetë destinacioni ynë i shpëtimit nga dëshpërimi, por vendi ku na takon të jemi të barabartë me të.

Të fundit