Flash News

KRYESORE

Shenjat e para që tregojnë se vuani nga migrena

Shenjat e para që tregojnë se vuani nga migrena

Migrena është një sëmundje neurologjike me dhimbje pulsative të kokës e shoqëruar me të përziera, vjellje, ndjeshmëri ndaj dritës, zërave dhe ndaj aromave.

Dhimbja e kokës vjen nga tkurrjet e papritura periodike dhe zgjerimi i arterieve në tru, e cila çon në ënjtje të indeve dhe në procese të caktuara kimike, të ndryshimeve në tru. Për fat të keq, kjo është një sëmundje mjaft e zakonshme e cila ndonjëherë ka origjinë të trashëguar.

Ajo shpesh fillon gjatë adoleshencës dhe më e theksuar është te gratë. Motivet apo shkaqet kryesore mund të jenë nga më të ndryshmet: ushqimet e caktuara, ndryshimi i klimës, dritat verbuese, zhurmat, mbingarkesat emocionale, pagjumësia, erërat e pakëndshme etj.

Sulmet e migrenës shpesh paraprihen nga një gjendje e veçantë, me paraqitjen e çrregullimeve vizuale, interferojnë me aftësinë për të folur në mënyrë koherente, por ndonjëherë shkaktojnë konfuzion.

Pacientët me migrenë zakonisht janë në gjendje të perceptojnë shenjat e ardhjes së një sulmi të afërt dhe përpiqen të flenë. Gjatë gjumit, sulmet janë më të vështira për t’i përballuar.

Dhimbja e kokës zakonisht rritet gradualisht, duke arritur një intensitet që bëhet i pamundur për t’u përballuar. Dhimbja verifikohet në të njëjtin vend, por pozicioni dhe natyra e dhimbjes mund të jetë e ndryshme.

Qendra e dhimbjes është zakonisht balli dhe sytë. Shpesh, gjatë një ataku fillon pështirosja, përzierja dhe në qoftë se arrini që të villni situata përmirësohet.

Pavarësisht shumëllojshmërisë së manifestimit të migrenës, dy janë format më të njohura të saj: migrena e zakonshme dhe ajo klasike.

Migrena e zakonshme shpesh manifestohet pa shqetësime të shikimit, por ndonjëherë sjell një ndryshim të oreksit dhe të humorit. Disa persona bëhen tepër aktivë, ndërsa të tjerët, të dobët dhe të përgjumur.

Simptomat e dhimbjes zakonisht ndodhin në njërën anë të kokës. Një atak mund të zgjasë disa orë ose disa ditë.

Migrena klasike është më pak e përhapur. Ashtu si edhe në rastin e migrenës së zakonshme, dhimbja ndodh në njërën anë të kokës, por mund të përhapet edhe në gjysmën tjetër të kokës.

Atakët janë më të rrallë dhe më të shkurtër në krahasim me migrenën e zakonshme, por janë më të rënda. Atakët e migrenës te gratë mund të përkojnë edhe me fillimin e menstruacioneve.

Të fundit