Shënohet viktima e tetë në Shqipëri nga Covid-19, një 66-vjeçar nga Fieri

Shkon në tetë numri i viktimave nga Covid-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë njofton se këtë mëngjes humbi jetën një 66-vjeçar nga Fieri, i cili ishte shtruar në Infektiv prej dy ditësh.

Sipas MSH, pacienti pësoi vdekje të papritur (infarkt) dhe vuante nga disa sëmundje.

“Një pacient 66-vjeçar nga Fieri, i konfirmuar me COVID-19 pësoi vdekje të papritur (infarkt) mëngjesin e sotëm në spitalin infektiv.

66-vjeçari trajtohej prej dy ditësh në spitalin infektiv në QSUT. Pavarësisht ndihmës së menjëherëshme të stafit mjekësor, 66-vjeçari që vuante nga sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji gastro-intestinale, nuk arriti të mbijetojë.

66-vjeçari është viktima e tetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social si dhe të telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”, njofton MSH.

Po ashtu, mbrëmë ndërroi jetë edhe një 85-vjeçare, e cila kishte mbërritur gjatë pasdites të së enjtes në gjendje të rënduar te Spitali Infektiv. Edhe ajo vuante nga disa sëmundje kronike.