Flash News

KRYESORE

Sherr dhe ‘surpriza’, çfarë pritet të ndodhë sot në seancën parlamentare

Sherr dhe ‘surpriza’, çfarë pritet të ndodhë

Si çdo të enjte, në orën 10.00 pritet të nisë seanca parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndonëse seancat tashmë janë kthyer prej kohësh në një arenë debatesh dhe përplasjesh mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, edhe sot pritet që tensioni dhe debatet e ashpra mes tyre të jenë prezent gjatë gjithë seancës plenare.

Një moment që do të marrë vëmendje është paralajmërimi i kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ndaj kreut të PD, Lulzim Basha.

Pak ditë më parë, Balla tha para gazetarëve se në këtë të enjte kishte rezervuar disa “surpriza” për Bashën, pas akuzave të kryedemokratit se Balla kishte porositur një “Toyota Yaris” me 1.5 milionë euro nga Gjermania, operacion i finalizuar vetëm tre ditë më vonë në Portin e Durrësit. Nga ky aksion u kapën 3.4 milionë euro në dy mjete të tilla në një trajler që sapo kishte mbërritur me traget nga Italia.

Po ashtu, debate të ashpra pritet të ketë edhe sa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave të BE në Luksenburg. Këshilli vendosi dy ditë më parë që të shtyjë negociatat me Shqipërinë për në qershor të vitit të ardhshëm. Opozita dhe mazhoranca e kanë “lexuar” në mënyra të ndryshme këtë vendim.

Sipas mazhorancës, saktësimi i një date është pozitive për vendin, ndërsa Rama e cilësoi si një betejë të fituar në luftën e integrimit.

Nga ana tjetër, opozita është shprehur më skeptike. Sipas Bashës nuk ka një vendim për çelje negociatash dhe se Europa e ka refuzuar sërish Shqipërinë, jo vetëm pasi nuk ka plotësuar 5 kushtet, por i ka vendosur edhe 8 të tjera ekstra.

Po ashtu, sot është parashikuar të shpaloset raporti vjetor i veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2017 dhe Raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2017.

Të fundit