Flash News

KRYESORE

Shfrytëzoni stinën e verës për të ardhur në formë

Shfrytëzoni stinën e verës për të ardhur në

Blerina Bombaj, dietologe klinike

Dielli shkëlqen, temperaturat rriten. Vera është stina e “zhveshjes” nga rrobat por edhe nga “dhjami” i tepërt! Kjo që po ju them mund t’ju sjellë në mendje një regjim të rreptë dhe disiplinë të fortë, por, çfarë do të thoshit nëse mund t’ia arrini thjesht duke shijuar gjithë mrekullitë e kësaj stine? Ju mund t’ia dilni jo vetëm të rrezoni kilogramë, por edhe të furnizoni trupin me një sërë thesaresh ushqimore të cilat do të jenë rezerva që do të shërbejnë edhe në stinët në vazhdim, ku ngjyrat zbehen dhe zgjedhjet varfërohen. Të hash më pak gjatë verës vjen natyrshëm dhe madje pa u ndierë të privuar. Duke ndjekur këshillat tona do të siguroni një ushqim që ju ofron fibra bimore, kalcium dhe lëndë ushqyese të rëndësishme. Fibrat bimore ndihmojnë në uljen në peshë sepse na “kënaqin stomakun” duke dhënë ndjesinë e ngopjes më gjatë. Ato ndihmojnë edhe në metabolizmin e sheqerit duke parandaluar nepsin për ushqime kalorike. Frutat dhe zarzavatet e verës kanë veti të tjera për të cilat mund të mos jeni në dijeni. Për shembull, fitokimikatet dhe antioksiduesit që përmbahen në disa fruta, sidomos me ngjyrë të kuqe dhe vishnje, luajnë rol të rëndësishëm kundër plakjes, kancerit dhe hemorragjisë cerebrale, përmirësojnë tensionin arterial dhe mbrojnë zemrën tonë. Përveç kësaj, na ndihmojnë të ngushtojmë rripin e mesit pasi janë aleate shumë të rëndësishëm në përpjekjen për të rënë nga pesha.

Gati për t’u dobësuar me ushqime verore? Filloni dietën tuaj të “verës” me këto hapa:

Domate dhe speca të kuq për vitaminë A, vitaminë C dhe likopen ­një antioksidues i rrallë

Këto ushqime hyjnë në familjen e frutave, edhe pse ne i njohim si zarzavate. Domatet dhe specat janë ushqime nga më të pasurat në vitaminë C, e cila luan rol kyç në mbrojtjen e lëkurës tonë pasi është përbërës kryesor në formimin e kolagjenit. Një domate ka vetëm 35 kalori, ndërkohë që ju ofron 40% të nevojës ditore për vitaminën C dhe 20% të vitaminës A.

 Fakt i rëndësishëm

Konsumi i shpeshtë i saj parandalon kancerin e prostatës dhe të tumoreve të aparatit tretës. Pengon oksidimin e kolesterolit të keq duke mbrojtur në këtë mënyrë zemrën tonë.

Këshillë

Për të marrë maksimumin e domateve, bëjini salcë dhe shtojini pak vaj ulliri dhe rigon. Specat e kuq – Vetëm me gjysmë kupë specat e kuq ofrojnë 240% të nevojës ditore për vitaminën C. Ushqimi më i rëndësishëm për të gjithë duhanpirësit të cilët kanë nevoja të rritura për vitaminë C, pasi pirja e duhanit e ul nivelin e vitaminës C në organizëm.

Konsumoni speca të gjallë të prerë për së gjati për “englendisje” midis vakteve kryesore, duke i kombinuar me pak gjizë ose salcë kosi. Specat mund t’i piqni në furrë ose në tenxhere me presion, me pak hudhër, vaj ulliri dhe uthull balsamike

Manat & frutat e pyllit (boronica, lule shtrydhe, manaferra, mana, thana)

Asgjë nuk është më verore sesa ylberi i frutave të pyllit, që i bën raftet e tregjeve të fruta­perimeve me tërheqëse dhe të bukura se çdo raft tjetër. Veriu i Shqipërisë ofron përgjatë gjithë gushtit boronicat e pazëvendësueshme. Mos lini t’ju ikë vera pa konsumuar boronica.

Fakt i rëndësishëm

Ato kanë forcën më të madhe kundër plakjes, ato si dhe gjithë frutat e tjera të kësaj familje përmbajnë substanca të cilat çaktivizojnë substanca kancerogjene të caktuara, si dhe ngadalësojnë riprodhimin e qelizave kanceroze. Boronicat ndihmojnë edhe në forcimin e memories, kurse thanat janë ilaç i mrekullueshëm në trajtimin e infeksioneve të kanaleve urinare.

Këshillë

Frutat e pyllit shijohen shumë siç janë, por mund të konsumohen edhe në forma të tjera, si për shembull në salca të ndryshme të cilat i japin një vlerë të veçantë sallatave apo pjatave kryesore si mishit. Për t’i ruajtur më gjatë këto “thesare” mund fare mirë t’i vendosni në grirje dhe t’i konsumoni edhe jashtë sezonit.

Të fundit