Flash News

KRYESORE

Shikojeni reformën tuaj, ju plaçin sytë!

Roland Bejko

Shikoni se ku dhe si kanë përfunduar dosjet e arkivës së Gjirokastrës që u zhvendosën disa ditë më parë nga Drejtoria Qëndrore e arkivave, edhe nën mbështetjen e KRYEMINISTRIT DALLKAUK e të KRYETARIT TË PARTISË SOCIALISTE TË GJIROKASTRËS DHE DEPUTETËVE TË SAJ NË QARK.

Shikojeni Reformën tuaj, ju plaçin sytë ! Shikojeni këtë foto, këto pamje horror, pasoja të reformës tuaj absurde.

Aty në ato dosje të hedhura përtokë janë hartat e pronave tuaja, janë dokumentat familjare, personale, materiale të karakterit historik e kombëtar. Aty përtokë është hedhur identiteti i secilit prej nesh. Është hedhur dhe përdhosur vetë historia, gjaku dhe kontributi i gjyshstërgjyshërve dhe prindërve tanë.

Këto dokumenta arkivorë u hoqën nga raftet dhe u larguan nga një godinë që ishte projektuar enkas për arkivë, dhe u degdisën rifuxho si fletë bakalli në depot e Lushnjës e të Durrësit.

Ky është KRIM!

Duhet trajtuar vetëm si i tillë nga organet kompetente.

Unë i kërkoj Prokurorisë së Gjirokastrës të fillojë sa më parë hetimet për këtë krim shtetëror!

I kërkoj publikisht deputetit të Gjirokastrës z. Tritan Shehu të kërkojë informacion me shkrim mbi procesverbalin e marrjes në dorëzim të materialeve nga Gjirokastra dhe të verifikojë në terren destinacionin final të dosjeve duke shkuar vet apo me deputetë të tjerë në çdo depo e magazinë ku janë depozituar arkivat, jo vetëm të Gjirokastrës.

Të thirret në interpelancë ministri përkatës për këtë batërdi që po bëhet mbi arkivat shqiptare në të gjithë vendin.

Kjo është koha e tretë kur socialisto -komunistët asgjësojnë, djegin dhe zhdukin arkivat, kujtesën, dëshmitë, gjurmët e tyre dhe të këtij kombi të tërë.

Herën e parë e bënë në 1990 -1992, kur dogjën pranë çdo zyre të Partisë Socialiste, në atë kohë Parti e Punës, të gjithë dokumentacionin me përmbajtje politike që dëshmonte implikimin e kësaj partie në aferat e Sigurimit të Shtetit me dënimet dhe internimet e kundërshtarëve politikë si dhe urdhrat e listat e zhdukjes së njerëzve në momentet e shëmbjes së diktaturës dhe në puçin e shtetit për mbrojtjen e figurës së Enver Hoxhës nga Vullnetarët e Enverit.

Koha e dytë e djegies së arkivave ishte gjatë rebelimit famëkeq komunistë të 97-ës kur u dogjën nën thirrjet e drejtuesve socialistë Arkivat e ShIK-ut, zyrat rajonale të arkivave dhe zyrat e hipotekave.

Dhe koha e tretë është tani, kjo e sotmja. Dhe kjo e sotmja është më kriminalja. Sepse krimi bëhet me vendim qeverie, me gjakftohtësi, me synime të qarta, në emër të reformës dhe të modernizimit të arkivës. Ku ato dokumenta që përbëjnë kujtesë në dëm të së shkuarës së tyre kriminale apo që i komprementon keq me të sotmen e të ardhmen, do të zhduken si dokumenta të parëndësishëm e të panevojshëm. Do të asgjësohen.

Ata janë vetë Zot e vetë shkop. Vetë Ali e vetë kadi.

Ne duhet t'i ndalim. Ndryshe brezat do na akuzojnë si bashkëpunëtorë në krim për indiferencën e krijuar.

Shpejt, sa nuk është vonë. PD dhe Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës do kërkojë kthimin në shtëpi të arkivës tonë. Qytetarët nuk u pyetën për këtë vendim dhe veprim arbitrar. Arkiva nuk është e familjes Rama, por e qytetarëve të Jugut të Shqipërisë.

Të fundit