Flash News

KRYESORE

Shkarkimet në diplomaci, Aldo Bumçi: Është goditje e Ramës për Ditmir Bushatin

Shkarkimet në diplomaci, Aldo Bumçi: Është goditje e

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi e komenton shkarkimin e 20 punonjësve të Ministrisë së Jashtme si goditje për Ditmir Bushatin. Në studion e ‘News 24’, Bumçi theksoi se kryeministri Edi Rama po godet njerëzit e ish-ministrit të Jashtëm.

“Diplomacia pësoi disa goditje edhe në drejtimin e Bushatit, me ligjin e shërbimit të jashtëm. Aktualisht lajmi nuk është diplomat apo punonjës në ambasada, këtu shikohet se qëllimi ka qenë për të goditur Bushatin. Përndryshe, lëvizja e personelit nuk ka pse të bëhet në këtë mënyrë dhe të bëhet lajm. Këtë vendim e ka marrë Edi Rama. Nuk ka rëndësi kush është diplomati, rëndësi ka lajmi për ta. Është qartësisht një goditje që i bëhet ish-ministrit”, tha përfaqësuesi i PD-së.

Goditjen e Ramës për Bushatin, Bumçi e shikon për dy arsye që lidhen me luftën brenda PS-së dhe korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi.

“Është e vërtetë që Bushati për çështjen e korrigjimit të kufijve ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga kryeministri. Kjo mendoj është një nga arsyet kryesore. Arsyeja tjetër është se ka zëra brenda PS, ish-ministra dhe deputetë, që janë pjesë e trashëgimisë së socialistëve, që kërkojnë largimin e Edi Ramës. Disa të tjerë kanë mbajtur qëndrim tjetër për krizën. Prandaj kjo shikohet si një goditje brenda PS. E njëjta gjë ndodhi edhe në Ministrinë e Infrastrukturës. Duket që ka një luftë brenda llojit”, tha Bumçi.

Duke theksuar se Ministria e Jashtme po degradon gjithnjë e më shumë, Aldo Bumçi shprehet se i pari që duhet të kërkojë shpjegime për këto shkarkime duhet të jetë vetë ish-ministri Bushati.

Të fundit