Shkarkimi i Ilir Metës, DW: Kush e ka në dorë verdiktin përfundimtar për fatin e presidentit

Parlamenti miratoi dje ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Ky proces do të zgjasë tre muaj, pasi u votua me 101 vota edhe nga opozita parlamentare.

DW shkruan se në Tiranë komisioni i posaçëm parlamentar u ngrit për të hetuar mbi dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zhvillimit të zgjedhjeve lokale 2019. Megjithatë, shton se vendimin përfundimtar e jep vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila nuk është funksionale prej muajsh.

“Miratimi i ngritjes së komisionit të posaçëm hetimor u bë me 101 vota pro dhe 6 kundër. Shkarkimi i Presidentit bëhet me shumicë të cilësuar votash që do të thotë 94 vota në parlamentin prej 140 deputetësh. Votimi pritet të bëhet pas 3 muajve, kur 9 anëtarët e Komisionit të sapongritur hetimor do të paraqesin në Parlament raportin e tyre. Por verdiktin përfundimtar për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta do ta japë Gjykata Kushtetuese, që në Shqipëri nuk është funksionale. Anëtarët e saj, kanë dalë jashtë sistemit nga vetting-u para më shumë se një viti dhe ende nuk ka kandidatura gjykatësish që të kenë kaluar sitën e vettingut për t’i zëvendësuar ata”, theksohet në artikull.