Flash News

KRYESORE

Shkatërrohet Kalaja e Tiranës me nismën e Veliajt e Kumbaros

 Një tjetër zonë arkeologjike në qendër të Tiranës është shkatërruar me nismën e Kryebashkiakut Veliaj dhe ministres së Kulturës Kumbaro.

Pas një viti punimesh, Kalaja e Tiranës, zonë arkeologjike e tipit “A”, është kthyer në një kompleks me 30 dyqane njëkatëshe të quajtuar “Pazari i vjetër i Tiranës”.

Në fillim qeveria e justifikoi dhënien e lejes së ndërtimit në një zonë të mbrojtur, me faktin se projekti ishte propozuar nga kompania private “Toptani Construction”, pronarët e së cilës zotërojnë dhe një pjesë të madhe të zonës ku do të ndërhyhej.

Megjithatë adminisratorja e kompanisë, Klodjana Toptani, në një intervistë për Gazetën Shqiptare, theksoi se projekti ka qenë spunto e Kryebashkiakut Veliaj dhe Ministres Kumbaro:

“Kjo [ide] ka qenë një spunto e madhe edhe e Bashkisë së Tiranës, e kryetarit zotit Veliaj, e zonjës Mirela Kumbaro, ministres së Kulturës për t’i sjellë një risi, për të sjellë një gjë shumë të bukur.”

Një vit më parë, kur sheshi pranë kalasë u rrethua për të filluar ndërtimet, Exit.al denoncoi shkeljet ligjore të qeverisë për këtë rast.

Kalaja e Tiranës është shpallur zonë arkeologjike e tipit “A” dhe sipas VKM-së, në këtë zonë lejohej vetëm restaurimi i monumenteve të kulturës brenda kufijve të zonës dhe konstruksioni i rrugëve. Konstruksionet duhet të lidhen me veprimtari arkeologjike dhe nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin e zonës.

Pavarësisht ndalesa të parashikuara nga ligji, qeveria Rama për t’i hapur rrugë ndërtimit në këtë zonë, i shtoi vendimit të Qeverisë Berisha një nen të ri si më poshtë:

“Neni 4. Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal) me lartësi maksimale një kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara.”

Kjo ndërhyrje i hapi rrugë, Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë që, më datë 22 dhe 27 korrik 2016, të miratonin projektin “Pazari i Tiranës”.

Si në rastin e shumë ndërtimeve të tjera të miratuara nga Qeveria Rama, për projektin e Pazarit të Tiranës nuk janë zhvilluar dëgjesa me publikun, me banorët e zonës dhe me organizatat e interesuara, siç e parashikon Ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”.

Sot pas një viti ndërtimesh, ekspertë të portalit Amfora, pas vëzhgimeve nga afër të punimeve shprehen se me gjithë garancitë e kompanisë se punimet do të respektojnë ligjin, në zonën arkeologjike janë bërë ndërhyrje të paligjshme dhe që shkatërrojnë trashëgiminë arkeologjike:

“Konkretisht brenda Kalasë së Tiranës është shtruar një shtresë betoni mbi 20 cm, material që nuk specifikohet në pikën e mësipërme. Këto struktura prej metali dhe tullash, që ngrihen mbi sipërfaqen e betonit, nuk janë në lartësinë e 1 kati.

Inxhinierë ndërtimi pohuan për Amfora.al se standardi i lartësisë së një kati është 2 metër e 80 centimetra. Ndërkohë që në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), vetë investitori pohon se lartësia maksimale është 8 metra.

Peizazhi është dëmtuar, pasi lartësia e murit të ndërtuar del mbi murin e Kalasë dhe nuk lejon shikimin e lirë në ambientet e brendshme të saj. Ndërsa vendosja në beton e strukturave metalike, nuk i bën ato të lëvizshme dhe nuk lejojnë kryerjen e projekteve studimore-shkencore (kërkimeve arkeologjike).”/Amfora.al

Të fundit